Bejli: Ndryshimet kushtetuese, hap pozitiv

Bejli: Ndryshimet kushtetuese, hap pozitiv

Gazetar: Lluka Andreev

Ndryshimet kushtetuese do të forcojnë pozitën e vendit, tha ish-ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Xhes Bejli në një intervistë për Zërin e Amerikës. Bejli thotë se e kupton zhgënjimin në mesin e qytetarëve, por, siç shtoi ai, përfitimet e ndryshimit të Kushtetutës do të ndjehen më vonë, ngjashëm siç ndodhi me Marrëveshjen e Prespës që mundësoi anëtarësimin në NATO.

“Për fat të keq, ju tani e keni këtë veto bullgare, për të vazhduar procesin. Ka një zgjidhje të qartë atje, që jo të gjithëve u pëlqen, por mendoj se pesë vjet pas zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, njerëzit do të shohin se ky është një hap pozitiv për vendin”, deklaroi Xhes Bejli – ish-ambasador i SHBA-së në Maqedoni.

Bejli theksoi se Uashingtoni do të zhgënjehej nga një veto e re e mundshme bullgare në rrugën për në BE, por megjithatë theksoi se vendi duhet të punojë për të zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

“Shtetet e Bashkuara do të zhgënjeheshin nëse do të ndodhnin veprime të tjera të kësaj natyre. Por, ashtu si kaloni procesin dhe hapni kapitujt, vende të caktuara do të donin të siguroheshin që kriteret po përmbushen, kështu që do të ketë edhe punë të tjera gjatë rrugës”, tha Xhes Bejli, ish-ambasador i SHBA-së në Maqedoni.

Bejli është në mesin e diplomatëve, të cilët muajt e fundit kanë bërë thirrje, të votohen ndryshimet kushtetuese. Më parë, një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj opozitës u bë nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për rajonin, Gabriel Eskobar, si dhe nga i dërguari gjerman Manuel Saracin. Ofensivës diplomatike, VMRO-DPMNE-ja iu përgjigj se është shumë më e lehtë për personat nga trupi diplomatik të ofrojnë zgjidhje, sesa për qytetarët t’i pranojnë ato. Sipas përfaqësuesve të partisë, emisarët kanë tridhjetë vjet që thonë se për Maqedoninë kjo është kërkesa e fundit, por premtimet e bëra nuk janë përmbushur. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button