Falsifikimi i patentave, policia pezullon nga puna 8 punonjës

Tetë punonjës në Ministrinë e Brendshme janë pezulluar nga puna pas skandalit me falsifikimin e patentë shoferëve. Pas kontrollit të brendshëm të MPB-së në hetim është kyçur edhe Prokuroria Publike. Pas aksionit të mbrëmshëm u ngritën 36 kallëzime penale ndaj grupit të organizuar, të cilët kanë lëshuar lejet për vozitje te së paku 28 qytetarë pa kaluar ende provimet për patentë. Por, nga MPB nuk bëjnë të ditur as inicialet e të dyshuarve, por as edhe hierarkinë e tyre në Ministri.

Me vetë faktin se ende punohet në këtë lëndë të hetimit, unë nuk do të kisha dhënë më shumë të dhëna. Hetimi do të arrijë tek të gjithë ata që janë përpjekur të keqpërdorin detyrën dhe autorizimet e tyre zyrtare pa dallim se në cilin pozicion gjenden në MPB. Ndërsa, për numrat do të kumtohen në momentin kur jepet mundësia për shkak të ruajtjes së sekretit të hetimit -u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Numri “një” i Ministrisë, Spasovski u shpreh se për parandalimin e korrupsionit të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë kryer vepër penale, do të përgjigjen para ligjit. Nga Prokuroria Publike në Shkup kumtuan se janë duke formalizuar procedurën para hetimore për të zbuluar gjithë rrjetin. Hetimi pritet të nxjerr në pah se sa patentë shoferë janë dhënë deri më tani, në kundërvlerë të pagesave ilegale dhe kush ka iniciuar këtë organizim paralel të dhënies së dokumenteve në MPB.

Pas pranimit të 36 kallëzimeve penale, prokurori kompetent ka hapur procedurë para hetimore dhe aktualisht po merren në pyetje të dyshuarit nga gjykatësi i procedurës paraprake. Pas dokumentimit të rastit, i cili bazohet në dyshimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “papërgjegjësi zyrtare” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtarë”, do të merren edhe masat përkatëse – thonë nga Prokuroria Publike.

Sipas burimeve të Alsat, që për këtë çështje raportoi nga java e kaluar, bëhet fjalë për zyrtarë të punësuar në Departamentin për punë administrative në Shkup. MPB njofton se të njëjtit kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre për të krijuar evidentim elektronik të dokumentacionit të nevojshëm me të dhëna të rreme, pa kaluar testet për patentë dhe filtrat e tjera të parapara me ligj. Të njëjtit pas regjistrimit elektronik kanë miratuar kërkesat dhe i kanë dorëzuar në përpunim duke dhënë patenta për shoferë në kundërshtim me ligjin. Edhe Byroja për Siguri Publike ka qenë e njoftuar prej dy muajsh për këtë çështje, ku si fillim janë kapur tre patenta që nuk i kanë kaluar të gjitha filtrat e nevojshme dhe se gjatë verifikimit është konstatuar mungesa e dokumentacionit të obligueshëm, përkatësisht rezultati nga testi, procesverbali i komisionit për qytetin dhe komisionit mbikëqyrës në poligon, procedura të cilat nuk janë vënë re as nga Qendra Testuese Automobilistike.

Adnan Qaili

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button