Favorizoi kompani pastrimi, hetim për ish drejtorin e Doganave, Stefan Bogoev dhe tre persona të tjerë
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Prokuroria e Krimit të Organizuar ka hapur hetim kundër ish drejtorit të Doganave, Stefan Bogoev dhe ndihmësdrejtorit Semir Musa mbi bazën e dyshimit për “shpërdorimin e procedurës së prokurimeve”, “mitmarrje” dhe “shpërblim për ndikim të kundërligjshëm”. Në hetim janë përfshirë edhe dy personat të tjerë, njëri përgjegjës në kompaninë që ka marrë tenderin dhe një i punësuar tjetër në të njëjtin subjekt. Organi i akuzës dyshon se i punësuari në kompaninë që ka fituar tenderin duke shfrytëzuar ndikimin e tij ka detyruar ish drejtorin Bogoev të ndërmerr veprime që bien në kundërshtim me ligjin, për ta favorizuar të njëjtin në procedurë. Ndërkohë ndihmësi i Bogoevit, Semir Musa është kujdesur që kompanitë tjera të paraqitura në thirrje publike, të tërhiqen.
“Të dyshuarit me vetëdije i kanë thyer rregullat e procedimit të thirrjes publike për “Higjienën e jashtme të kalimeve kufitare dhe terminaleve doganore” duke favorizuar kompaninë e paraqitur. Drejtori ka ndikuar në dokumentacionin dhe specifikat teknike për ta përshtatur me kriteret e duhura, ndërsa ndihmësdrejtori ka ndikuar tek subjektet tjera që të mos marrin pjesë në thirrje duke i ndihmuar që subjekti i paraqitur të merr tenderin prej 18,5 milion denarë”, njoftojnë nga Policia Financiare.
Krimi i Organizuar ka siguruar dëshmi se e gjithë kjo është bërë për favore financiare. Bogoev nga ky veprim ka përfituar 111.600 denarë.
“Të dyshuarit nga kompania kanë ndikuar tek drejtori dhe ndihmësdrejtori që të ndërmarrin veprime që nuk kishin të drejtë t’i ndërmerrnin, duke i premtuar dhurata dhe të mira materiale. Drejtori Stefan Bogoev nga maji i vitit 2024 deri në shkurt 2025 ka kërkuar dhe pranuar dhurata dhe të mira tjera materiale për vete dhe ndihmësin ë tij Semir Musa”, shtojnë më tej nga Policia Financiare.
Ndaj katër të dyshuarve, Krimi i Organizuar ka kërkuar masën e paraburgimit. /Alsat.mk








