“Ferrari ka gjithçka për titullin, ky është viti i rilindjes”
Nga Melburni do të startojë këtë fundjavë një nga sezonet më të debatueshme dhe më të përfolura të viteve të fundit, mes ndryshimit të rregullores dhe njësive të reja të fuqisë që mbeten një pikëpyetje e madhe. Megjithatë, ka nga ata që shfaqin optimizëm dhe janë të bindur se do të bëjnë më mirë se vitin e kaluar, siç është Luis Hamilton.Në intervistën e dhënë për “Corriere della Sera”, piloti britanik përdor fjalë të ngrohta për skuadrën e tij, Ferrarin.
“Vetëm dy persona në botë drejtojnë një Ferrari në F1 dhe unë jam një prej tyre”.
Hamilton më pas u drejtohet edhe tifozëve.
“Është e pabesueshme empatia e tyre, si në ditët e mira ashtu edhe në ato të vështira. Nuk mund të premtojmë asgjë, por mjafton të bësh një xhiro këtu brenda (në Maranelo) për të kuptuar përpjekjet e jashtëzakonshme të çdo personi”.
Komenti për makinën e re
“Prej 14 muajsh po punoj njëvendëshen e vitit 2026, në simulator dhe me inxhinierët. Ndryshe nga makina e mëparshme, që e gjeta tashmë të projektuar dhe ku mund të ndryshoja shumë pak, në këtë makinë ka pak nga ADN-ja ime dhe kjo më entuziazmon”, shprehet shtatë herë kampioni i botës.
Luis Hamilton gjithsesi ka një bindje të fortë për këtë sezon
“Pas asaj që kaluam vitin e kaluar, mund të përballojmë çdo situatë. Kjo skuadër ka gjithçka për të fituar. Duhet ta përfundojmë punën së bashku me tifozët. Është më e lehtë ta thuash sesa ta realizosh, por erdha te Ferrari sepse besoja dhe vazhdoj të besoj”, përfundon piloti britanik.








