Filipçe me akuza për më pak subvencione në bujqësi, VMRO reagon me kundërpërgjigje
Gazetar: Angell Dimovski
Rritje e shpenzimeve, ulje dhe vonesa në subvencione, çmime të ulëta të blerjes dhe mungesë të shitjes – bujqësia është në një gjendje katastrofale, thotë LDSM. Sipas liderit të partisë opozitare Venko Filipçe, situata nuk ka qenë kurrë më e keqe: subvencionet janë ulur për rreth 40 milionë euro, janë vonuar dhe nuk janë paguar rregullisht, duke prekur të gjithë – duhanprodhuesit, blegtorët, prodhuesit e qumështit dhe orizit.
“Përveç faktit që subvencionet janë të ulëta, përveç faktit që ka vonesa në pagesën e subvencioneve, çmimet e blerjes janë jashtëzakonisht të ulëta. Te qumështi, çmimi i blerjes është ulur për 30%, nga 36 në 23/24 denarë. Te orizi është pothuajse të përgjysmuar, nën 20 denarë. Dhe as prodhuesit e orizit, as prodhuesit e qumështit nuk kanë ku ta plasojnë prodhimin e tyre. Thjesht qendrat e blerjes janë të fokusuara, sepse shteti ua lejon, të importojnë materiale të lira riprodhuese nga jashtë dhe në këtë mënyrë nuk mbrohet aspak prodhimi vendor”, deklaroi Venko Filipçe.
Më herët, qeveria reagoi për të njëjtën temë, duke dalë në mbrojtje të bujqësisë, ku theksoi se me këtë qeveri sektori po shënon rezultate pozitive, ndërsa sipas saj pikërisht partia opozitare LDSM ka qenë ajo që i ka shkaktuar dëme sektorit.
“Financimi për qumështin e dorëzuar është rritur, dhe atë:
• qumështi i lopës nga 5 në 6 denarë.
• qumështi i deleve dhe i dhive nga 6 në 7 denarë“, thanë nga VMRO-DPMNE.
Është rritur gjithashtu mbështetja financiare nga 4.000 në 6.000 denarë për racat e gjedheve për majmëri dhe rritje nga 3.000 në 4.500 denarë për të gjitha racat e tjera ose për përzierje të racave të ndryshme. Për bagëtitë e shënuara të deleve mbi 12 muaj, mbështetja është rritur nga 2.000 në 3.000 denarë, po ashtu edhe për bagëtitë e shënuara të dhive mbi 12 muaj, mbështetja është rritur nga 2.000 në 3.000 denarë.
VMRO-DPMNE shton se koha e LDSM mbahet mend nga blegtorët edhe për 17 muaj vonesë në pagesën e subvencioneve për qumështin./Alsat.mk.








