Pesë persona të arrestuar për masakrën e Reçakut në Kosovë
Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u masakruan 42 civilë shqiptarë.
Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb dhe ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri vazhdon të punojë në shërbimet postare në Serbi.
Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Dheu i Bardhë në orët e para të mëngjesit, ndërsa katër të tjerët në lokacione të ndryshme në Kosovë. Prokurori Ilir Morina theksoi se personat e arrestuar dyshohet se kanë qenë pjesë e njësive të drejtuara nga Goran Radosavljeviq gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Ju e dini që edhe në aktakuzën e parë të Reçakut, udhëheqës ka qenë Goran Radosavloviq, i njohuri me nofkën Guri, i cili është i dyshuar për një mori masakrash në territorin e Kosovës, e këta të arrestuar sot janë pjesëtar të atyre njësive”, deklaruan nga Ilir Morina, Prokuror special.
Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, tha se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin.
“Gjatë këtij operacioni e do t’ju cekim tek pjesa e analizës, kemi konfiskuar një numër të provave, të cilat ne konsiderojmë që janë relevante për rastin. Ndër to: Një armë artizane, Një uniformë ushtarake dhe policore, disa pjesë dhe pjesë të ndryshme të uniformave, bexh i uniformës së Policisë Serbe, Një palë pranga, një shufër policie dhe një set sinjalizues për ndalesa në trafik të veturave…”, tha Bashkim Spahiu, Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për aksionin, duke shkruar në Facebook se krimet e luftës nuk do të mbeten pa ndëshkim dhe se ndjekja e përgjegjësve do të vazhdojë pa kompromis.
Aksioni ka nxitur edhe reagimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd, e cila tha se bëhet fjalë për një “valë të re të frikësimit dhe përndjekjes së serbëve .
Së voni, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet./Alsat.mk.








