Filloi dhe u shty seanca e 13 për policët, për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan

Gazetar: Petar Çaushevski

Trembëdhjetë nëpunës policorë, të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, u ulën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Penale të Shkupit. Me kërkesë të njërit nga avokatët e të akuzuarve, i cili e njoftoi gjykatën se atë ditë përfaqësonte edhe një lëndë tjetër, seanca u shty. Prokuroria është e bindur se do të dëshmojë fajësinë e të akuzuarve.

“Prokuroria në çdo rast kur paraqet aktakuzë, nënkupton se është seriozisht e bindur në provat me të cilat disponon dhe të cilat më tej në vijim të procedurës gjyqësore duhet të paraqiten”, deklaroi Spasenka Andonova, Prokurore.

Përfaqësuese e aktakuzës për këtë lëndë ishte prokurorja Ivana Trajçeva Aleksovska, por pasi Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk ia vazhdoi mandatin, lëndën tani e përfaqëson prokurorja Spasenka Andonova. Ajo siguron se nuk do të ketë vonesa në procedurë.

“Prokuroria është e përgatitur në çdo moment, nuk do të ketë ngecje në veprimin procedurial në asnjë lëndë, pavarësisht se kush paraqitet si përfaqësues i akuzës”, theksoi Spasenka Andonova, Prokurore.

Trembëdhjetë punonjësit e policisë akuzohen se kanë zbatuar dhe miratuar një plan aksional për kontrollin e objekteve hotelerike pa verifikuar plotësisht procedurat ligjore dhe të sigurisë. Gjatë kontrollit nuk kanë marrë masa për mbrojtjen e të pranishmëve dhe as nuk kanë parandaluar përdorimin e pajisjeve teknike në skenë, të cilat nuk kishin qenë të paraqitura në polici. Nga zjarri në diskotekën “Puls”, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 20 u lënduan, kërkohet përgjegjësi nga gjithsej 23 punonjës policie në tre aktakuza të ndara./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button