Fjalimi i Lavrovit në një konferencë në Gjenevë u bojkotua nga liderët perëndimorë
Fjalimi i Lavrovit në një konferencë në Gjenevë u bojkotua nga liderët perëndimorë
Gazetar: Lluka Andreev
“Është e papranueshme për ne që ka ende armë bërthamore amerikane në territorin e shumë vendeve evropiane”, tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov në një video-fjalim në Konferencën e OKB-së për Çarmatimin që u mbajt në Gjenevë. Ai shtoi se Rusia i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar që Ukrainën të posedojë armë bërthamore.
“Po zhvillojnë skenarë për përdorimin e armëve bërthamore kundër Rusisë. Është koha për ta dërguar armën amerikane bërthamore në shtëpi dhe ta demontojmë tërësisht infrastrukturën e lidhur të Evropës”, tha Sergei Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Por, fjalimi i Lavrov u transmetua në sallë gjysmë të zbrazët pasi zyrtarët perëndimorë vendosën ta bojkotojnë fjalimin e ministrit rus.
Më herët, presidenti i SHBA-së, Xho Bajden hodhi poshtë frikën se tensionet midis Uashingtonit dhe Moskës për krizën e Ukrainës do të përshkallëzoheshin në një luftë bërthamore, ndërsa nga Shtëpia e Bardhë theksuan se nuk ka nevojë për ndryshimin e gjendjes së gatishmërisë së armëve bërthamore amerikane.
“As Shtetet e Bashkuara dhe as NATO nuk kanë dëshirë apo synimin për konflikt me Rusinë, ne mendojmë se retorika provokuese si kjo për armët bërthamore është e rrezikshme dhe rrit rrezikun e vlerësimit të gabuar. Kjo retorikë duhet shmangur. Po e shqyrtojmë direktivën e presidentit Putin dhe në këtë pikë nuk shohim asnjë arsye për të ndryshuar nivelin tonë të gatishmërisë”, u shpreh Xhen Psaki – Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Derisa Moska flet për sulm nga ana e NATO-s, udhëheqësit perëndimorë vendosën ta mbështesin Ukrainën ushtarakisht, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg nga Polonia tha se do të vazhdojë të forcohet krahu lindor.
“Aleatët e NATO-s ofrojnë lloje të ndryshme të mbështetjes ushtarake: materiale, armë antitank, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe lloje të tjera të pajisjeve ushtarake për Ukrainën, si dhe ndihmë humanitare dhe mbështetje financiare. Por NATO nuk duhet të jetë pjesë e konfliktit. NATO-ja nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë dhe as aeroplanë në hapësirën ajrore të Ukrainës”, theksoi Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
“Britania, qeveria jonë, ishte e para që mori në konsideratë dërgimin e armëve për miqtë tanë ukrainas, sepse ne lexuam esenë gjysmë mistike të Putinit për të ardhmen e Ukrainës, e cila është manifest i ekspansionit perandorak. Kjo është arsyeja pse ne dërguam 2000 raketa antitank në janar”, tha Boris Xhohnson – Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Të dielën, Putin ngriti nivelin e gatishmërisë luftarake të armëve bërthamore ruse nën arsyetimin se deklarata agresive po vinin nga anëtarët e NATO-s në Moskë./ Alsat.mk








