FNA: Zgjedhja e Rektorit të UT-së, autokratike

FNA: Zgjedhja e Rektorit të UT-së, autokratike

Gazetar: Ardit Ramadani

Zgjedhja e Jusuf Zejnelit në krye të Universitetit të Tetovës sipas Blendi Hodait nga Forumi për Ndryshime në Arsim u bë në formë autokratike. Hodai kërkoi fillimisht de-politizim të këtij institucioni dhe më pas përsëritje të procesit zgjedhor. Sipas tij, fakti që tërheqja nga gara e 3 kandidatëve nuk u bë shkak që institucionet të veprojnë në formë urgjente dhe insistimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për të vendosur në krye një kandidat si Zejneli, i cili sipas tij është i padenjë për atë post, është shkatërruese për UT-në.

“Partitë politike nuk e duan UT-në, as s’ja duan të mirën asaj, por ja duan të mirat financiare që burojnë nga ky institucion. Kjo vërtetohet me faktin që partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kryer presione nga më të ndryshmet që në krye të UT-së të vendoset një person tërësisht i padenjë për të udhëhequr, i cili sipas hulumtimeve të FNA-së në “Google Scholar” rezulton që të mos ketë asnjë punim shkencor në revista kredibile ndërkombëtare, që është shkatërruese për UT-në,” deklaroi Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin ballafaqohet UT-ja. Hodai denoncoi shkelje të Ligjit për Arsim të Lartë nga ana e profesorëve. Faton Shabani dhe Nderim Zeqiri janë pjesë e Këshillit Nacional për Arsim të Lartë në mënyre të kundërligjshme, kjo pasi i pari është pro-Rektor ndërsa i dyti anëtarë i Senatit kurse ligji është decid dhe nuk lejon që personat me këto pozita, të jenë pjesë e kësaj trupi të rëndësishëm.

Në Universitetin e Tetovës por jo vetëm, sipas Hodait ka edhe avancime të profesorëve në formë të kundërligjshme. I tillë është rasti i profesorit Agron Alili, i cili “docent” është bë me mesatare 6.7.

“Alili është avancuar në kundërshtim me nenin 166 të Ligjit për Arsim të Lartë i cili thotë se “me titullin mësimor – shkencor docent, mund të zgjidhet vetëm personi që ka realizuar mesatare së paku tetë për çdo cikël në veçanti”. Por përkundër kësaj mesatarja e profesorit Agron Alili në ciklin e parë ka qenë  6.7 ndërsa në ciklin e dytë 9.0,” tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Blendi Hodai në fund shtoi se “kutia e pandorës” është hapur dhe se në vijimësi do të publikohen të gjitha shkeljet e kryera jo vetëm në Universitetin e Tetovës, por në të gjitha universitetet tjera në vend. FNA-ja këto raste i ka denoncuar edhe në Inspektoratin e Arsimit dhe pret që të ndërmerren masa urgjente.  /alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button