Fokus te teknologjia dhe shkenca – financim për projekte dypalëshe me Austrinë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të financojë realizimin e 14 projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, të fokusuara në fusha me potencial të lartë zhvillimor dhe inovativ. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se projektet janë përzgjedhur në kuadër të Strategjisë së Specializimit të Mençur dhe do të realizohen në sektorë të ndryshëm. Sipas Janevskës, prioritet u është dhënë projekteve nga shkencat teknike dhe natyrore, të cilat konsiderohen kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit. Për secilin projekt Ministria do të sigurojë financim prej 600 mijë denarësh, ndërsa periudha e realizimit do të zgjasë dy vjet.
“Gjithsej 6 projekte të përzgjedhura janë nga inxhinieria dhe teknologjia, 5projekte janë nga shkencat matematiko-natyrore, dy nga shkencat bujqësore dhe veterinare, ndërsa një projekt është nga shkencat shoqërore. Kjo nuk është hera e parë që financohen projekte të këtij lloji, por për herë të parë në këtë konkurs i japim përparësi projekteve nga shkencat teknike, përkatësisht fushave që janë përcaktuar si prioritare për veprim në Strategjinë e Specializimit Inteligjent të shtetit, që do të thotë se aty është identifikuar potencial zhvillimor” – Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk









