FSHF zyrtarizon sfidën miqësore me finalistin e Botërorit

Kombëtarja shqiptare nuk iu ndahet miqësoreve me vendet e Lindjes së Mesme. FSHF, pas miqësores me Arabinë Sauditë në Abu Dabi (1-1), sot ka zyrtarizuar një tjetër test të tillë. Edhe kësaj radhe kuqezinjët do të sfidojmë një finalist të Kupës së Botës, që fillon më 20 nëntor, pikërisht vendin organizator, Katarin.

Të dyja Federatat kanë arritur marrëveshjen për këtë miqësore dhe kanë zyrtarizuar akordin për atë që do të jetë përballja e tretë në histori mes dy vendeve. Dueli i parë mes Shqipërisë dhe Katarit është luajtur në maj të vitit 2012 dhe miqësorja e luajtur në Madrid përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve me gola të shënuar nga Elis Bakaj dhe Erion Bogdani.

Sfida e dytë ka qenë ajo e luajtur më 22 maj 2016 në Austri, një nga testet e fundit para pjesëmarrjes së Shqipërisë në finalet e Euro “Francë 2016”. Miqësorja u mbyll me fitoren 3-1 të përfaqësueses shqiptare me gola të realizuar nga Arlind Ajeti, Ermir Lenjani dhe Armando Sadikut.

Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje do të jenë nga kampionati shqiptar, ashtu siç ndodhi në miqësoren me Arabinë Saudite.

 

LEXO EDHE:

Back to top button