Funksionarët nuk parapëlqejnë të flasin për pagat e tyre

Funksionarët nuk parapëlqejnë të flasin për pagat e tyre

Gazetar: Adnan Qaili

Më shumë se një muaj mediat përballen me mungesë transparence nga autoritetet, por kur vjen puna për tu lavdëruar, foltorja e Qeverisë është e vogël për gjithë kabinetin e ekzekutivit. Të pyetur se sa më të larta i kanë marrë pagat, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi nuk mundi ta gjejë se cila nga të ardhurat është për pagën, por më pas zbuluam se paga tij e re është 125 mijë denarë. Por, me keqardhje thonë se xhepat e tyre mund të ishin më të thellë, nëse Gjykata Kushtetuese do të shfuqizonte nenin e Ligjit të pagave me masa retroaktive, dhe atëherë do t’u paguheshin rrogat për 12 vitet e kaluara.

“Unë shoh që paga ime është më e vogla nga të gjithë zëvendëskryeministrat dhe kryeministri dhe është shumë më e vogël se vendi im i mëparshëm i punës, por është në përputhje me ligjin. Shumë mirë që Kushtetuesja nuk ka marre një vendim retroaktiv sepse nëse gaboj koeficienti është i ngrire që në 2011”, tha Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Ministri i Financave tenton ta nxjerrë nga situata Grubin dhe tregon një numër të lartë të të zgjedhurve dhe emëruarve që iu kanë gëzuar rritjes së pagave. Duke qenë në komunikim me porosi SMS, siç shihet në prapavijë të foltores, Fatmir Besimi detyrohet të merr fjalën sërish për të ulur pak shifrën e funksionarëve, për 600.

Sipas përllogaritjes së kreut të thesarit të shtetit, taksapaguesit do t’u japin 15,6 milion euro në vit më shumë zyrtarëve të vendit për punën e njëjtë.

“Bëhet fjalë për 1,600 funksionarë ku ligji përfshinë dhe gjykatësit, prokurorët, kryetarët e komunave, këshilltarët komunal, drejtorë do të thotë ka një spektër të gjerë. Rreth 1,000 funksionarë, mendoj se më herët gabova! Në një muaj rëndohet buxheti për rreth 80milion denarë, që brenda një viti do të ishte 960 milion denarë”, u shpreh Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

Tri pagat më të larta, të llogaritura me koeficient 4,5, i takojnë kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi në vlerë neto prej 166.207 denarë, presidentit Stevo Pendarovski 164.217 denarë, kryeministrit Dimitar Kovaçevski 156.402 denarë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të zyrtarëve është marrë më 21 mars të këtij viti. Paga e prillit e zyrtarëve është rritur deri në 78%. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button