G7 i bën thirrje Kinës të ushtrojë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

G7 i bën thirrje Kinës të ushtrojë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Grupi i shtatë vendeve të pasura të botës (G7) sot i bëri thirrje Kinës që të ushtrojë presion ndaj partnerit të saj strategjik Rusisë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët, liderët e G7 theksuan se ata nuk duan të dëmtojnë Kinën dhe kërkojnë “marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme” me Pekinin, duke njohur rëndësinë e angazhimit të sinqertë dhe duke ia shprehur shqetësimet drejtpërdrejt Kinës.

“Ne i bëjmë thirrje Kinës që të bëjë presion ndaj Rusisë që të ndalojë agresionin e saj ushtarak dhe të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte trupat e saj nga Ukraina. Ne inkurajojmë Kinën të mbështesë një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të bazuar në integritetin territorial dhe parimet dhe qëllimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë bisedimet e drejtpërdrejta me Ukrainën”, thuhet në njoftim.

Grupi deklaroi se bashkëpunimi me Kinën është i nevojshëm duke pasur parasysh rolin e saj global dhe madhësinë ekonomike.

Liderët, megjithatë, shprehën “shqetësim serioz” për situatën në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore, ku Pekini po zgjeron praninë e tij ushtarake dhe po kërcënon të përdorë forcën për të ushtruar kontroll mbi Tajvanin e vetëqeverisur. Udhëheqësit e G7 bënë thirrje për një “zgjidhje paqësore” të pretendimeve të Kinës ndaj Tajvanit, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura që kur komunistët morën pushtetin në territorin kinez në vitin 1949.

Në deklaratë thuhet se “nuk ka asnjë bazë ligjore për pretendimet e zgjeruara detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore” dhe se ata kundërshtojnë aktivitetet e militarizimit të Kinës në rajon.

“Një Kinë në rritje që luan sipas rregullave ndërkombëtare do të ishte me interes global”, thuhet në deklaratë.

G7 u bashkua gjithashtu për të shprehur shqetësimin për të drejtat e njeriut në Kinë, duke përfshirë Tibetin, Hong Kongun dhe rajonin e largët perëndimor të Xinjiangut, ku çështja e punës së detyruar ka qenë një problem i përhershëm.

Samiti i G7 filloi të premten në Japoni pas një vizite të përbashkët në muzeun në Hiroshima, kushtuar sulmit të parë bërthamor në botë të kryer nga SHBA-ja në vitin 1945.

Samiti organizohet nga kryeministri japonez Fumio Kishida ndërsa marrin pjesë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Rishi Sunak, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.

Liderët e Australisë, Indisë, Indonezisë dhe Koresë së Jugut u ftuan të marrin pjesë në samit ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy gjithashtu mbërriti sot në Hiroshima.

LEXO EDHE:

Back to top button