G7 miraton planin për të luftuar trafikimin e migrantëve
G7 miraton planin për të luftuar trafikimin e migrantëve
Grupi i Shtatë vendeve të pasura demokratike (G7) do të krijojë njësi të specializuara policore për të hetuar trafikimin e migrantëve, tha sot ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, si pjesë e përpjekjeve për të trajtuar migracionin e parregullt, sipas Reuters.
Piantedosi njoftoi nismën në fund të një takimi treditor të ministrave të Brendshëm të G7, i cili u fokusua gjithashtu në kërcënimet që rrjedhin nga krizat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
“Plani i veprimit parashikon forcimin e kapaciteteve hetimore dhe operacionale të forcave të policisë, duke përfshirë nisjen e veprimeve të përbashkëta”, u tha ai gazetarëve pas bisedimeve në Mirabella Eclano në Italinë jugore.
“Ne përsëritëm me një zë se shkatërrimi i karteleve të trafikut është një prioritet”, shtoi ai.
Qeveria e djathtë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila mban presidencën e radhës të G7 për vitin 2024, ka kërkuar bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe qeveritë afrikane për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore.