Garë populiste mes kandidatëve për president

Garë populiste mes kandidatëve për president

Gazetar: Adrian Kerimi

Akoma pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, kandidatët për presidentë kanë filluar të shfrytëzojnë momentin. Arben Taravari pret përgjigjen e kundër kandidatëve për debatin e ditës së shtunë mbi emigrimin, Stevo Pendarovski kërkon master debat të stilit amerikan, ndërsa Bujar Osmani fton kandidatët në iftar. Presidenti Pendarovski propozon dy debate të mëdha në fund dhe fillim të fushatës, ndërsa harxhimet do t’i mbulojnë të gjithë kandidatët proporcionalisht.

“Këto debate do të mbaheshin sipas të gjitha standardeve botërore dhe rregullave të debatit i cili do të zgjasë tre orë. Të gjithë kandidatët do të mund ta zbulojnë programin e tyre dhe ta paraqesin para qytetarëve. Çdo kandidat do të mund të sjell edhe publikun e tij, ndërsa do të jenë prezentë edhe mediat. Konsideroj se qytetarëve u ka ardhur mbi kokë nga fushatat e zeza dhe mendoj që master debatet do të jenë një hap i madh para”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Ndërkohë Bujar Osmani i ftoi të gjithë kandidatët për president në një iftar të përbashkët, duke përjashtuar Stevçe Jakimovskin, i cili të hënën përfundoi në listën e zezë amerikane dhe kandidaten e mbështetur nga “E Majta”, Biljana Vankovska.

“I ftoj kandidatët Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrievski në iftar të përbashkët që në frymën e këtij muaji të shenjtë të bashkëbisedojmë dhe dakordohemi për një fushatë pozitive, konstruktive dhe për një garë ideshë për një president Evropian”, tha Bujar Osmani, Kandidat për president.

Arben Taravari tha se do të pranonte ftesën por nuk mund të marrë pjesë pasi paraprakisht për sot ka caktuar iftar me fëmijët e prekur nga sindromi doun. Nga ana tjetër për debatin e së shtunës në Tetovë mbi temën e migrimit, akoma pret përgjigjet e kundër kandidatëve.

“Deri tash përgjigje kam marr vetëm nga Pendarovski me të cilin u takova para gjysmë ore ne Çarshi. Me tha se nuk ka të drejtë para se të fillon fushata të shkon në debate sepse është president. Kur të fillon fushata është i gatshëm të vjen në debate dhe të diskuton bashkë mbi problematikat që u interesojnë qytetarëve”, u shpreh Arben Taravari, Kandidat për president.

Gara presidenciale edhe pse akoma nuk ka nisur zyrtarisht, kandidatët nuk kanë hezituar të shfaqin populizmin e tyre nëpër takime me kategori të veçanta të qytetarëve, aktivitete ditore dhe veprime jo të zakonshme për profilin e tyre si figura politike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button