Gashi i përgjigjet Frontit Evropian: Ligji sipas rregullores!
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Fronti Evropian akuzon Kuvendin se ka shkelur rregulloren në seancën e djeshme ku u miratua ligji për Qeverinë e me të cilën u shfuqizua qeveria teknike. Thonë se propozim ligji fillimisht duhej të kalonte për shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie mes Bashkësive. Ky refuzim thonë se ishte mesazh i qartë se po anashkalohet mekanizmi kushtetues për të mbrojtur balancën ndëretnike dhe të drejtat e bashkësive në shtet.
“Interpretimi tendencioz i Rregullores së Kuvendit dhe anashkalimi i Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dëshmojnë një qasje të qëllimshme për të shmangur mekanizmat mbrojtës dhe për të imponuar vendimmarrje të njëanshme. Për këtë shumicë parlamentare, asnjë argument nuk ka rëndësi; tendenca është e qartë: mbivotimi i çdo përpjekjeje të opozitës“, tha Rina Ajdari nga Fronti Evropian.
Kreu i Kuvendit Afrim Gashi mohon një gjë të tillë. Shprehet se nënkryetari i Kuvendit Antonio Milloshoski dje e udhëhoqi seancën sipas rregullores dhe nuk ka bërë asnjë shkelje.
“Absolutisht mendoj se u respektua procedura me rregullore. Mund të ketë ndonjë indikacion pse është vepruar në atë mënyrë, këtu nuk ndërhyj. Sa i përket rregullores, jam i bindur se mbrëmë ligji për Qeverinë ka kaluar në bazë të rregullores”, u përgjigj Gashi.
Kundër këtij ligji ishte edhe LSDM e cila madje braktisi edhe grupin e punës që po udhëheqë procesin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. I pari i Kuvendit Gashi i bëri thirrje kësaj partie që të mos e braktisë grupin e punës por të bashkëngjitet në dialog me qëllim të sillet kod sa më cilësor./Alsat.mk








