Çmimi i naftës arriti në 126 dollarë për fuçi
Gazetar: Angell Dimovski
126 dollarë për fuçi. Çmimi i naftës theu rekordin e katër viteve të fundit dhe arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës mes Iranit dhe Izraelit. Për momentin, autoritetet nuk po mendojnë për uljen e TVSH-së, ndërsa ndikimi i kësaj rritjeje në ekonominë vendase do të bëhet më i qartë të hënën.
Rritja e çmimit vjen pas raportimeve se ushtria amerikane do ta informojë presidentin Donald Trump për masa të mundshme kundër Iranit, gjë që ka shkaktuar shqetësime se konflikti mund të vazhdojë dhe të ashpërsojë më tej bllokadën amerikane ndaj eksportit iranian.
Ekonomistët paralajmërojnë se në kushte të tilla, fillimisht duhet të ndërhyhet për mbështetjen e kategorive më të cenueshme të qytetarëve.
“Unë i përkas atij grupi ekonomistësh, në fushën e politikave fiskale, që angazhohen për të mbledhur më shumë të ardhura dhe për t’i shpërndarë ato në mënyrë të targetuar. Pra, nuk mund të lirohen nga detyrimet edhe ata që bëjnë pjesë në 10–15% me të ardhura mbi mesataren, në të gjitha bazat. Unë jam që atyre t’u ngarkohet pagesa sipas normave të përcaktuara, ndërsa më pas mjetet të shpërndahen te familjet e rrezikuara dhe te grupet e synuara, sepse politikat duhet të jenë ekskluzivisht të targetuara”, deklaroi bdulmenaf Bexheti, kryetar i Këshillit Fiskal.
Nevojiten masa të targetuara, sepse përveç karburanteve, kriza përmes ngushticës së Hormuzit e shtrenjton edhe transportin e plehrave artificiale, gjë që rrit drejtpërdrejt çmimin e ushqimit.
“Duhet të shkohet drejt masave të targetuara, sepse kini kujdes, në këtë krizë nuk shtrenjtohen vetëm karburantet, por edhe ushqimi. Përmes karburanteve rriten kostot e prodhimit të të gjitha firmave, transporti e kështu me radhë. Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se 20, një e treta e rrjedhës së plehrave artificiale gjithashtu kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, si quhet kjo në maqedonisht, ai gjiri, kjo e shtrenjton ushqimin. Dhe tani, nëse ushqimi shtrenjtohet, ndërsa ne këtë e shohim dhe e ndiejmë çdo ditë”, tha Taki Fiti – Akademik.
Ekonomisti Borçe Trenovski paralajmëron se efektet e vërteta të krizës globale energjetike ende pritet të ndihen dhe do të reflektohen në ekonominë vendase.
“Duhet të themi se, edhe pse kemi një rritje të lehtë të çmimeve dhe inflacionit në ekonominë tonë, ende efekti i plotë i çmimeve nuk është transmetuar në ekonomi, ai ende është mes sektorit të transportit dhe rritjes globale të çmimeve. Gjithmonë ekziston një vonesë e caktuar kohore, përkatësisht 2, 3 deri në 6 muaj, derisa rritja e çmimeve të përhapet në të gjithë ekonominë. Shpresojmë që kriza të vihet nën kontroll dhe të ndërpritet ky zinxhir”, theksoi Borçe Trenovski, ekonomist.
Zbritja nga OKTA vlen deri sot, ndërsa për momentin nuk ka informacione nëse do të vazhdojë edhe muajin e ardhshëm. Ekspertët paralajmërojnë se nëse rritja e çmimit të naftës vazhdon, ajo do të reflektohet ndjeshëm edhe në çmimet e produkteve të tjera./Alsat.mk.








