Gërmimet për varrezë masive, ​Haxhiu: Ne po i kërkojmë të zhdukurit, Vuçiq vazhdon t’i mohojë krimet

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e vizitoi të enjten lokacionin në fshatin Kalludër i Vogël të komunës së Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime pas dyshimeve për një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Aty ajo ishte e shoqëruar nga ministrat në detyrë, Saranda Bogujevci dhe Andin Hoti.

“Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim. Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, tha Haxhiu.

Tutje Haxhiu e akuzoi lidershipin e Serbisë për fshehje të krimeve të luftës, përfshirë edhe trupat e shqiptarëve të vrarë.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, pra gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra përkundër faktit që kanë kaluar mbi 24 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorika shoviniste, me mohim të krimeve e po ashtu me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë këtu nga Vuçiq, qoftë këtu nga Bërnabiq. Pra, nuk mund të ketë paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sa kohë kemi varreza të fshehura, për sa kohë kemi arkiva të mbyllura dhe për sa kohë kemi mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë. Në këtë rast bëj thirrje po ashtu nga partnerët ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i hapë arkivat”, tha ajo./Telegrafi.

LEXO EDHE:

Back to top button