Gir: Bashkimi Evropian nuk do t’i hetojë rastet e montuara gjyqësore
Gir: Bashkimi Evropian nuk do t’i hetojë rastet e montuara gjyqësore
Gazetare: Semra Musai
Bashkimi Evropian shuan kategorikisht shpresat për rihetim të rasteve të montuara gjyqësore. Në një intervistë ekskluzive në Programin 200 në Alsat, ambasadori i BE-së në Shkup, Dejdiv Gir tha se jo vetëm që Brukseli nuk mund të ndërhynte në sistemin gjyqësor të vendit por se një hap i tillë do të përbënte kolonizimin.
“Do të ishte gabim për Bashkimin Evropian të ndërhynte dhe të vendoste gjykatësit tanë apo njerëzit tanë të rishikonin këto raste dhe të gjykonin. Kjo do të përbënte shkelje të sovranitetit të shtetit dhe gjithashtu do të minonte sistemin gjyqësor. Çfarë do të ndodhte më pas nëse çdo kush që është i pakënaqur me ndonjë rast, do të kërkonte ndërhyrjen dhe ndihmën e Bashkimit Evropian. Kjo është një formë e kolonizimit. Prandaj nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”, deklaroi Dejvid Gir, ambasador i BE-së në Shkup.
Duke hedhur poshtë çdo mundësi për rigjykim, e shumta çfarë mund të bëjë BE-ja sipas ambasadorit Gir është mbështetja e reformave në gjyqësor dhe monitorim të proceseve gjyqësore të korrupsionit të profileve të larta.
“Nuk i takon BE-së të ndërhyjë dhe të rishqyrtojmë vendimet e gjyqtarëve. Ne mbështesim reformat në gjyqësor dhe gjithashtu ndjekim rastet e korrupsionit të lartë në partneritet me OSBE-në. Ne kemi një projekt që ndjek rastet e korrupsionit të lartë në Ballkanin Perëndimor, por nuk mund të ndërhyjmë dhe të rishqyrtojmë vendimet e gjykatësve. Por, ne shqyrtojmë se si funksionin e drejta penale, nëse ka mangësi, nëse mund të bëjmë rekomandime për përmirësimin e situatës”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së në Shkup.
Së fundmi Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga kërkoi nga Bashkimi Evropian shqyrtimin e rasteve të montuara gjyqësore, sikurse partia e tij Aleanca për Shqiptarët që e pati si një prej kërkesave kryesore para hyrjes në qeveri. Pikërisht me këtë kërkesë edhe Alternativa hyri në qeveri dhe madje para se të dilte tha se letra zyrtare me kërkesën për hetimin e rasteve të montuara pret nënshkrimin e kryeministrit. Edhe BDI-ja prej vitesh pretendonte se ka kërkuar hetim ndërkombëtar madje edhe nga SHBA-ja për proceset gjyqësore senzitive për shqiptarët. /Alsat.mk