Gir: Të gjitha palët të bashkohen për t’i përmbushur reformat evropiane

Gir: Të gjitha palët të bashkohen për t'i përmbushur reformat evropiane

Gazetar: Lluka Andreev

Reformat e nevojshme të BE-së në fushën e sundimit të ligjit, si dhe ndryshimet kushtetuese, ishin në fokus të Konventës për Bashkimin Evropian. Mesazhi kryesor i të pranishmëve ishte se është e nevojshme të gjendet konsensus si për reformat ashtu edhe për Kushtetutën, me synim anëtarësimin sa më të shpejtë në BE.

“Reformat në fushën e shtetit ligjor duhet të jenë gjithmonë rezultat i një konsensusi të gjerë politik, por jo më pak të rëndësishëm, profesional dhe social. Ligjet në këtë sferë duhet të mbështeten nga të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë”, deklaroi Stevo Pendarovski – President.

“Subjektet nga i gjithë spektri politik duhet të bashkohen për interesin kombëtar dhe të fokusohen në realizimin e reformave të BE-së. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që opozita të pushojë së punuari, roli i saj është të pyesë, të bëjë pyetje, por edhe të ofrojë zgjidhje”, tha Dejvid Gir– ambasador evropian.

Deputeti Arbër Ademi, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, tha se konsensusi është i domosdoshëm kur bëhet fjalë për përcaktimin strategjik të vendit, në kuadër të ndryshimeve të pritshme kushtetuese. Mirëpo, kolegu i tij nga VMRO-DPMNE-ja, Aleksandar Nikollovski, theksoi se Qeveria është dashur të mendojë më herët për ndërtimin e konsensusit.

“Ajo që më shqetëson më shumë është ngjyrosja bardh e zi, pra përdorimi i procesit të integrimit evropian për politikë brenda – partiake, kështu që shpesh mund të dëgjojmë se disa janë pro BE-së, të tjerët janë kundër BE-së, disa janë pro-perëndimor, të tjerët janë antiperëndimorë… që mendoj se është keqpërdorim i gjithë këtij procesi”, u shpreh Aleksandar Nikollovski – Kryetar i Këshillit për Integrime Evropiane.

Zëvendës ambasadori i SHBA-së në vend, Erik Mejer, tha se Uashingtoni e mbështet procesin e anëtarësimit në BE, por se nevojitet angazhim shtesë për reforma nga të gjitha subjektet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button