Gjashtë të vdekur dhe qindra të lënduar nga stuhia që përfshiu Ballkanin

Gjashtë të vdekur dhe qindra të lënduar nga stuhia që përfshiu Ballkanin

Gazetare: Vjollca Ahmedi

Gjashtë të vdekur dhe qindra të lënduar është bilanci i motit të rëndë me stuhi të forta që kaploi Ballkanin një ditë më parë.

Dy viktima janë raportuar në kryeqytetin Kroat, Zagreb, të cilët sipas policisë kroate, jetën e kanë humbur si pasojë e goditjes nga pemët e rrezuara nga stuhia. Sipas autoriteteve shëndetësore kroate dy viktimat kishin pësuar lëndime të rënda në kokë, njëri derisa ecte në rrugë, ndërsa tjetri gjatë qëndrimit në makinën e tij. Edhe një person tjetër në qytetin kroat Cernik, po ashtu jetën kishte humbur brenda në veturë, gjithashtu nga rrëzimi i një peme.

Një viktimë tjetër si pasojë e stuhisë u regjistrua në Slloveni po ashtu si pasojë e rënies së një peme në kokë ndërsa po ashtu edhe në Bosnje u regjistrua një viktimë nga moti I rëndë.

Thuajse në të gjithë Ballkanin, autoritetet njoftuan për qindra të lënduar. Në Serbi erërat e forta u përhapën nëpër kryeqytetin serb të Beogradit, duke lënë një pjesë të qytetit pa energji elektronike ndërsa aeroporti i Beogradit u mbyll përkohësisht. Një vajzë 12 vjeçare u shtrua në Spital pasi një pemë ra mbi të në qytetin e Novi Sadit. Ndërkohë ka pasur edhe ndërhyrje tjera mjekësore si pasojë e lëndimeve të pësuara të qytetarëve.

Stuhitë e forta vijnë pas disa ditësh shumë të nxehta dhe të thata, ndërkaq moti i nxehtë vazhdon të dominojë në shumë vende të Evropës, Amerikën e Veriut, Azi, Afrikën Veriore etj. Shumë shtete madje po përballen me zjarre dhe pasoja të tjera nga i nxehti.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore Meteorologjie java e parë e korrikut ka regjistruar javën më të nxehtë që nga viti 2016. Temperatura rekord vjen pasi muaji qershor u konfirmua gjithashtu si qershori më i nxehtë në rekordin global sa i përket temperaturave të detit dhe ajrit.

Shkencëtarët thonë se temperaturat janë shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

Ekspertët paralajmërojnë se shumë shoqëri nuk janë përshtatur ende me nxehtësinë më ekstreme dhe efektet që ajo ka tek njerëzit dhe mjedisin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button