Gjithë ai ‘tërmet’ – Mbetet e palëkundur pozita e Lupço Koçevski

Gjithë ai ‘tërmet’ – Mbetet e palëkundur pozita e Lupço Koçevski

Gazetar: Mihaillo Donev

“Kaloi saktësisht një vit që kur pushteti ekzekutiv e intensifikoi retorikën për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Lupço Kocevski. Më pas, Ministria e Drejtësisë përgatiti edhe propozim për shkarkimin e tij, por tragjedia në Koçan e shtyu këtë proces. Tani, nga Qeveria paralajmërojnë se propozimi për shkarkimin e Kocevskit do të riaktivizohet. Kryeministri në disa raste paralajmëroi se pas zgjedhjeve Kocevski do të shkarkohet, ndërsa në brifingun e djeshëm me gazetarët tha se kjo do të ndodhë së shpejti. Sot, pyetëm në Qeveri se kur konkretisht nisma për shkarkimin e tij do të rikthehet në tryezë, por nuk deshën të zbulojnë më shumë detaje”, raporton gazetari i Alsat, Mihaillo Donev.

“Ju informojmë se mbetemi në qëndrimet e mëparshme për këtë temë. Si Qeveri, me kohë do ta informojmë opinionin për hapat që do t’i ndërmarrim në periudhën e ardhshme”, thonë nga Qeveria.

Të pakënaqur me punën e Prokurorisë së Shtetit nën drejtimin e Lupço Kocevskit, vitin e kaluar Qeveria ngarkoi Ministrinë e Drejtësisë të përgatisë propozim me argumente pse Kocevski duhet të shkarkohet. Në të, ndër të tjera, u theksua se efikasiteti i prokurorisë është ulur, ndërsa rastet e korrupsionit me profil të lartë kanë mbetur të pazgjidhura.

Propozimi mbërriti në Qeveri, prej nga u përcoll në Këshillin e Prokurorëve Publikë, ku mori mendim negativ. Por, sipas ligjit, pavarësisht mendimit të Këshillit, propozimi u kthye nga Qeveria, prej ku vendoset në tryezë para deputetëve që votojnë për shkarkimin e tij. Megjithatë, pas zjarrit në klubin “Puls” në Koçan, Qeveria e udhëhequr nga Mickoski vendosi ta ndalojë shkarkimin e Kocevskit dhe prokuroria nën drejtimin e tij filloi hetimin për tragjedinë.

Ditët e fundit, retorika për shkarkimin e Kocevskit sërish po merr hov, por pa veprime konkrete. Nga ana tjetër, Kocevski në disa raste, duke komentuar pretendimet për shkarkimin e tij, tha se ato janë deklarata politike dhe se ai do të vazhdojë me ndërgjegje ta kryejë punën e tij. Që Kocevski të shkarkohet, Qeveria duhet ta riaktivizojë propozimin, pra ta dërgojë sërish për mendim në Këshillin e Prokurorëve Publikë, e më pas edhe në Kuvend. Për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit në Kuvend do të nevojiten votat e 61 deputetëve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button