“Gjorqe-Novo Lisiçe dhe anasjelltas për 35 minuta”, Qyteti i Shkupit me marrëveshje për “autobusët e shpejtë”

" "

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski dhe përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Andi Aranitasi sot kanë nënshkruar marrëveshjen për nisjen e projektit për të ashtuquajturit “BRT-autobusë”, gjegjësisht për ndërtimin e dy traseve për dy linja për autobusë të shpejtë në destinacionet lindje-perëndim dhe veri-jug në Shkup.

Trasat do të jenë të veçanta vetëm për këto dy linja, ndërsa në to do të qarkullojnë autobusë hibrid me gas dhe rrymë elektrike. Njëra linjë do të qarkullojë nga  Gjorqe Petrov në Novo Lisiçe, ndërsa tjetra nga Buteli në Kisella Vodë.

“Numri i përafërt i udhëtarëve që do të shfrytëzojnë këtë transport është rreth 65 mijë qytetarë në ditë. Me implementimin e fazës së parë pritet që nga koha e tanishme për këto relacione prej 70 minutave, të zvogëlohet për 50 për qind , të rritet frekuentimi i autobusëve në çdo 3-4 minuta në stacion të autobusit. Koha e nevojshme që një automjet të kalojë trasën Gjorqe-Novo Lisiçe dhe anasjelltas do të jetë 35 minuta”, tha mes tjerash Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Projekti do të mbështetet financiarisht nga kredia e siguruar prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 70 milion eurove.

“Kredia do të jepet në dy këste. Kësti i parë me vlerë  47.6 milion euro për financimin e linjës së parë lindje-perëndim dhe kësti i dytë me shumë prej 22.4 milion eurove  për financimin e linjës së dytë, respektivisht për linjën veri-jug. Afati për shpagimin e dy kësteve është për 15 vite me grejs periudhë prej 4 viteve”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.

BERZH përpos huasë, për projektin në fjalë  do të sigurojë edhe grant për mbështetje teknike për Qytetin e Shkupit.

LEXO EDHE:

Back to top button