Gjykata Civile refuzoi padinë për ajrin e ndotur

Gjykata Civile vendosi të mos konstatojë përgjegjësi të mundshme te institucionet për ajrin e ndotur. Gjykata Shkupi 2 hodhi poshtë padinë e parë kundër shtetit, për ajrin e ndotur të paraqitur nga shoqata “Juristët e Rinj”. Ata paditën Qeverinë, Ministrinë e Ekologjisë dhe Qytetin e Shkupit, sepse nuk morën masa të mjaftueshme nga viti 2007 deri në vitin 2018, për të zbutur ndotjen e ajrit. Sidoqoftë, beteja ligjore për ndotjen e ajrit nuk ndalet. Shoqata dërgoi ankesa kundër vendimit të “civiles” deri në Gjykatën e Apelit,. “Juristët e rinj” presin që Gjykata e Apelit ta kthejë rastin në Gjykatën Themelore, Shkup-2 dhe të hapet rast gjyqësor.

“Ajo që është e rëndësishme, është që gjykata të nis diskutimin për këto çështje, sepse besojmë se ka hapësirë dhe bazë ligjore, që gjykata të shqyrtojë në mënyrë thelbësore padinë, ndërsa duke refuzuar padinë, që do të thotë mos shqyrtimi i kërkesës dhe dëshmive, dmth nuk kemi prezantim të dëshmive, nëse ato janë të bazuara”, tha Jasna Orovçanec Arangjeloviq, shoqata “Juristët e Rinj”.

Alsat pyeti Gjykatën Civile me çfarë shpjegimi u refuzua padia, por nuk morëm përgjigje, pasi gjykatësi ishte në gjykime. Padia është ngritur në korrik të vitit 2019, për t’u refuzuar pas një viti e gjysmë. Në padi, shoqata deklaroi se po cenohet e drejta e qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm, e drejta për shëndetin, privatësia për jetën personale dhe familjare, dhe paprekshmëria e shtëpisë dhe ndërmarrja e masave. Shoqata “Juristët e Rinj” gjithashtu ngriti një padi për ndotjen e ajrit në Manastir, por atje Gjykata nuk ka caktuar ende as seancë përgatitore. Ndotja e ajrit në vend edhe këtë sezon i tejkalon kufijtë e lejuar për praninë e grimcave PM 10 dhe PM 2.5 në ajër.

Igor Stefanovski

LEXO EDHE:

Back to top button