“Pfizer” prishi festën e Shkupit dhe Beogradit

Asgjë e rëndësishme nuk ndodhi sot në vendkalimin kufitar Tabanocë-Preshevë. Edhe pse një ditë më parë Qeveria në Shkup me pompozitet informoi publikun që sot në mesditë do të mbërrijnë 8 mijë doza të vaksinave nga Beogradi zyrtar. Madje gati ishin edhe protokollet e këtij eventi. Por, këtë festë ende të panisur ua prishi kompania farmaceutike “Pfizer” e cila ende nuk ka autorizuar Serbinë që të rishes vaksinat e tyre për Maqedoninë. Kjo bllokadë formale-juridike dihej prej kohës kur presidenti serb Vuçiq i premtoi këtë peshqesh kryeministrit Zaev. Nga Qeveria, sërish sot dolën me qëndrimin se çështjet teknike pamundësuan pranimin solemn të dozave të para.

Qeveria e RVM-së:

“Pranim-dorëzimi i kontingjentit u anulua për çështje teknike. Të dyja qeveritë janë në komunikim të vazhdueshëm dhe jemi njoftuar që dokumentacioni nga Republika e Serbisë është kompletuar plotësisht. Për momentin pritet në afatin më të shkurtër të mundshëm kompania ‘Pfizer’ të lëshojë një aprovim të dokumentuar deri tek Beogradi zyrtar dhe pastaj menjëherë do të realizohet pranim-dorëzimi i dozave.”

Ende nuk dihet nëse vaksinat amerikane apo kineze do të arrijnë më parë në vend, ndonëse kryeministri Zaev paralajmëroi që nga Pekini më 16 shkurt do të arrijnë 200 mijë doza të llojin ‘Sinovac’. Ai para ca ditësh deklaroi se edhe përmes platformës Covax doza të tjera vaksinash do të arrijnë deri në fund të marsit.

“Normalisht, përpiqemi të blejmë ‘VAKSAJN’ përmes mekanizmit Covax, ne jemi njëri nga pjesëmarrësit e parë në këtë platformë dhe informacionet e fundit janë që do marrin në gjysmën e dytë të marsit sasitë e para të vaksinave”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër. (08.02.2021).

Por, anglishtja e Zaevit nxiti krijimin e një ueb faqeje paralele të vaksinave në ditën e dytë të platformës ‘vakcinacija.mk’ në të cilën qytetarët mund të paraqiten për vaksinim. Ministria Shëndetësisë fillimisht e vlerësoi si sulm kibernetik. Pas gjetjes së autorit nga policia, ai pranoi se parodia është bërë në sensin pozitiv meqë ueb faqen e ka lidhur me domenin origjinal. Përndryshe, në këtë platformë online prej ditës së djeshme janë paraqitur mbi 25 mijë qytetarë të interesuar për imunizim.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button