Gjykata e Posaçme konfirmoi akuzat ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, tha të hënën se ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Në një njoftim thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake konfirmoi akuzat “për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Më 25 shtator, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj u arrestuan në Prishtinë në bazë të një urdhër arresti nën dyshimet për këto veprime.

Sipas akuzës, “së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Zoti Gucati dhe zoti Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhet në njoftim.

Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë muajit shtator tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Arrestimi i tyre ishte bërë një ditë pasi që prokuroria e posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili u paraqit sërish të hënën në Gjykatën e Posaçme në Hagë për të shqyrtuar ecurinë e çështjes ndaj tij.

Prokuroria tha se është e gatshme që procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës të fillojë rreth muajit mars të vitit të ardhshëm ndërsa avokati mbrojtës kërkoi më shumë kohë për zhvillimin e hetimeve lidhur me akuzat që përballet Salih Mustafa.

Akuza e ngarkon zotin Mustafa “me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”.

Zoti Mustafa është i akuzuari i parë në Gjykatën e Posaçme që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Bashkë me të në Hagë tashmë ndodhen edhe ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, që të gjithë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

LEXO EDHE:

Back to top button