Gjykata Penale: Akuzat ndaj Dragan Pavlloviq-Llatasit në rastin “Total” bien pas tërheqjes së Prokurorisë

Gjykata Penale në Shkup ka njoftuar se Prokuroria Publike është tërhequr nga ndjekja penale ndaj gazetarit Dragan Pavlloviq-Llatas i akuzuar në rastin “Total” për fshehje tatimi. Arsye për këtë vendim të gjykatës ka qene edhe vjetërsimi i veprës kundër gazetarit Llatas. Kjo ka bërë që aktakuza ndaj tij dhe dy personave të tjerë të mos ketë bazë.

“Për dy nga të akuzuarit nuk kishte elemente që plotësonin bazën e dyshimit për veprën penale “fshehje tatimi”, ndërkohë për personin tjetër (Dragan Pavlloviq-Llatas) është plotësuar kushti i vjetërsimit absolut, gjykata solli vendim duke u bazuar në rrethanat aktuale”, thanë nga Gjykata Penale Shkup.

  • Për dy të akuzuar nuk është plotësuar baza për ndjekje penale;
  • Për Dragan Pavlloviq-Llatas vepra është vjetërsuar;

Prokuroria Publike dha arsyet pse u tërhoq nga  ndjekja penale.

“Gjykata Penale kishte urdhëruar superekspertizë për rrethanat ekonomike, financiare dhe materiale. Gjendja faktike ka rezultuar me atë se sasia e fshehjes së tatimit nga “e konsiderueshme” është ulur në “më të madhe” dhe me këtë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ndjekje penale në bazë të nenit mbi të cilin ishte ngritur akuza”, theksuan nga Prokuroria Publike.

  • Superekspertiza ka dëshmuar se sasia e tatimit të fshehur nuk i plotëson kushtet për ndjekje penale;

Ndjekja penale ndaj gazetarit Llatas kishte filluar në tetor të vitit 2017, por procedura disa herë kishte nisur nga fillimi për shkak të ndryshimit të prokurorëve dhe ndryshimit të kompetencave mbi organin e akuzës që duhet ta përfaqësonte. Vendimi është marr në fund të muajit maj ndërsa është bërë i plotfuqishëm më 25 qershor. “Total” si lëndë ishte hapur nga ish Prokuroria Speciale Publike./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button