Të paktën 11 të vrarë në sulmin e ri rus në Kiev dhe zonat përreth
Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë plagosur në një sulm masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Kievit dhe rrethinave të tij gjatë natës. Mes të plagosurve ka edhe fëmijë. Ky është tashmë ditën e gjashtë radhazi që kryeqyteti ukrainas është objektiv i sulmeve ajrore ruse.
Në Kiev kanë humbur jetën tetë persona, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur, mes tyre tre fëmijë. Në disa zona të qytetit kanë shpërthyer zjarre, ndërsa janë goditur objekte në rrethet Darnytskyi, Holosiivskyi dhe Solomianskyi.
Në Boryspil, në rajonin e Kievit, kanë humbur jetën edhe tre persona, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur. Sulmi rus ka dëmtuar një ndërtesë banimi pesëkatëshe, një dyqan, shtëpi, objekte biznesi dhe automjete. Ekipet e shpëtimit kanë evakuuar 48 persona, ndërsa dy persona janë nxjerrë nga rrënojat.
Autoritetet ukrainase njoftuan se Rusia përdori gjatë sulmit raketa balistike, raketa kruiz dhe raketa kundër-radar, si dhe 218 dronë dhe mjete mashtruese. Rreth një e treta e mjeteve pa pilot ishin me motor reaktiv. Mbrojtja ajrore ukrainase deklaroi se kishte interceptuar ose neutralizuar 199 objektiva ajrore.
Mes objektivave të goditura ishte edhe infrastruktura hekurudhore në Kiev. Sipas autoriteteve ukrainase, gjashtë nga viktimat ishin punonjës të kompanisë shtetërore hekurudhore.
Sulmi filloi të hënën rreth orës 18:00 dhe vazhdoi gjatë gjithë natës. Përveç Kievit dhe rajonit të Kievit, sulme janë raportuar edhe në pjesë të tjera të Ukrainës, përfshirë rajonin e Odesës, ku është dëmtuar infrastruktura.
Volodymyr Zelensky deklaroi mëngjesin e sotëm se në sulmet ruse gjatë natës, në të gjithë Ukrainën, kanë humbur jetën gjithsej 12 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Sulmet e reja vijnë pas disa ditësh të një fushate intensive ajrore ruse ndaj Kievit. Sipas Zelenskyt, vetëm gjatë katër ditëve të fundit Rusia ka përdorur rreth 1.500 dronë kundër Ukrainës.








