Pas 72 orësh luftë me flakët, zjarri në Pelister vihet nën kontroll
Pas 72 orësh luftë të pandërprerë me flakët në terren, zjarri në Pelister është vënë nën kontroll, njoftojnë nga Parku Kombëtar “Pelister“.
Bëhet fjalë për një nga zjarret më të ndërlikuara të kësaj sezone, i cili ka përfshirë një pyll ku dominojnë pisha e zezë dhe pisha e bardhë. Shuarja e zjarrit është vështirësuar më tej për shkak të terrenit të paarritshëm dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.
Nga Parku Kombëtar “Pelister“ theksojnë se përballimi me sukses i zjarrit ka qenë rezultat i punës së koordinuar të disa institucioneve dhe ekipeve. Në terren kanë vepruar pandërprerë pjesëtarë të PK „Pelister“, njësitë territoriale kundër zjarrit nga Manastiri dhe Resnja, mekanizimi i ndërmarrjeve publike, NP „Strezhevo“, pjesëtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, shoqata vullnetare kundër zjarrit, si dhe një numër i madh vullnetarësh dhe pronarësh të bizneseve private.
Në shuarjen e zjarrit nga ajri janë angazhuar helikopterë të Forcave Ajrore të Armatës dhe avionë kundër zjarrit “Air Tractor“ të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Një pjesë e ekipeve në terren kanë qëndruar të angazhuara për më shumë se 48 orë pa ndërprerje. Nga Parku Kombëtar kanë shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet, organizatat, vullnetarët dhe qytetarët që kanë ndihmuar në përballimin e zjarrit.
Nga PK “Pelister“ theksojnë se koordinimi i një numri të madh forcash tokësore dhe ajrore në një hapësirë të kufizuar dhe të vështirë për t’u arritur ka përbërë një sfidë serioze, por angazhimi i përbashkët ka bërë të mundur që zjarri të vihet nën kontroll.








