Shkon në 55 numri i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor, Klekovski: Të gjithë pacientët trajtohen në klinika

Gazetare: Amila Rashiti

Numri i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor ka mbërritur në 55. Bëhet fjalë për 53 raste të konfirmuara ndërsa 2 të dyshimta. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski bëri të ditur se të gjithë pacientët trajtohen në klinika dhe vetëm njëri nuk është hospitalizuar. 19 pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Fibrile, prej të cilëve 17 janë raste të konfirmuara dhe 2 të pakonfirmuara.  Më së shumti raste janë regjistruar në periudhën nga 3 deri më 24 gusht.

Ndërkaq Klekovski theksoi se edhe zogu i tretë i ngordhur në Shkup, respektivisht në Komunën e Karposhit ka rezultuar pozitiv me ethet e Nilit Perëndimor. Klekovski theksoi se të gjithë zogjtë e ngordhur nuk do të testohen, por fokusi do të jetë te zogjtë e ngordhur jashtë Shkupit.

“Dua t’u bëj thirrje qytetarëve, sepse numri i raportimeve për zogj të ngordhur në Shkup nuk kalon shifrat 20 – 30…Fokusi duhet të jetë te raportimi i sorrave, për t’u mbledhur dhe testuar, sepse në Shkup përafërsisht e dimë situatën. Do të përpiqemi të fokusohemi te zogjtë e ngordhur jashtë Shkupit, sepse ata do të jenë epidemiologjikisht më të rëndësishëm për ne se sa ata që gjenden brenda Shkupit”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë komentoi gjendjen edhe sa i përket sëmundjeve të tjera ngjitëse. Klekovski iu bëri thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit. Sipas Institutit për Shëndet Publik përqindja e vaksinimit është ende e ulët, rreth 62%. Numri i rasteve me fruth po rritet në Kosovë dhe Bullgari, ndaj Ministria e Shëndetësisë sugjeron që në ditët dhe javët në vijim qytetarët të fillojnë më vaksinimin, që sa më shumë fëmijë të vaksinohen kundër fruthit për shmangien e një epidemie të re në Maqedoninë e Veriut./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button