Goditet me thikë roja i Konsullatës Franceze në Arabinë Saudite

Një roje i Konsullatës Franceze në Arabinë Saudite është goditur me thikë, në ditën kur në Francë ka pasur dy sulme terroriste, në një prej të cilëve u regjistruan 3 viktima në një kishë të Nisës.

Agresori u arrestua në Xhedah, sipas mediave vendase, ndërsa roja është dërguar në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Diplomatët francezë i kanë bërë thirrje autoriteteve saudite për “të hedhur dritë mbi këtë sulm dhe të garantojnë sigurinë e shtetasve francezë në mbretëri”.

Sulmet po vijnë pas zemërimit që shkaktoi në botën islame mbrojtja që Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri karikaturave të Profetit Muhamed, gjë që çoi në vrasjen e një profesori francez dy javë më parë.

Ndërsa sot, 3 njerëz u vranë në një kishë të Nisës, dy prej të cilëve iu pre koka. Rreth dy orë më pas, një tjetër person u vra nga policia në Avinjon pasi po kërcënonte me thikë njerëzit.

Autoritetet saudite njoftuan sot arrestimin sulmuesit.

Muhamed al-Ghamdi, zëdhënësi për media i policisë në Meka al-Mukarramah tha se Forca Speciale për Sigurinë Diplomatike arrestoi një person në të 40-at, njoftoi Agjencia zyrtare saudite e shtypit.

“Personi sulmoi me një objekt të mprehtë rojen e sigurisë në konsullatën franceze e cila rezultoi në dëmtim të lehtë të këtij të fundit dhe ai më pas u transferua në spital për trajtim”, shtoi Al-Ghamdi.

“Kundër sulmuesit do të merren masat ligjore”, shtoi ai pa zbuluar detaje të mëtejshme.

 

LEXO EDHE:

Back to top button