Google Maps ”arreston” ish-bosin e mafias siçiliane
Bosi italian i mafias, Gioacchino Gammino, i njohur në rajonin e Siçilisë dhe i kërkuar prej 20 vitesh, është kapur në Spanjë falë një fotoje që ishte shfaqur në aplikacionin e hartave të quajtur Google Maps.
Sipas lajmeve në mediat vendase, Gammino i kapur në operacionin e kryer në bashkëpunim të policisë spanjolle dhe italiane, ka jetuar si një qytetar i thjeshtë në qytezën prej 25 mijë banorësh, Galapagar, në veri të Madridit për të mos ngjallur ndonjë dyshim dhe duke punuar në një dyqan zarzavatesh dhe si kuzhinier.
Ndërkohë për kapjen e Gammino, i cili është një ndër 100 bosat e mafias më të kërkuar, ka qenë vendimtar aplikacioni Google Maps.
Gjatë hetimit nëpërmjet Google Maps në Galapagar kanë tërhequr vërejtjen afishet “Kopshti Manu” dhe “Kuzhina Manu”, ndërsa në hetimin e thelluar është mësuar që personi i cili në faqen e tij në Facebook është prezantuar si “shef Manueli” në të vërtetën ishte Gioacchino Gammino.
“Si më keni gjetur mua, që kam 10 vite që as familjen time nuk e telefonoj”, i tha Gammino policisë.
Mësohet se Gammino, i cili u dënua për krime të shumta mafioze dhe u kap për herë të parë në Barcelonë në fund të viteve të 1990-ta, u arratis në mënyrë misterioze nga burgu në Romë në vitin 2002 gjatë xhirimit të një filmi dhe që atëherë ishte shpallur në kërkim.







