Gostivari edhe më tej pa ujë për pije – mërgimtarët të revoltuar, s`lajmë dot as sytë në mëngjes
Gazetar:Bashkim Sulejmani
Gostivarasit edhe më tej vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit, edhe atë jo vetëm ujin për pije, por edhe uji për përdorim teknik në çezmat e tyre. Disa banorë që kishin ardhur nga mërgimi, u shprehën të revoltuar nga kjo situatë, e cila iu pamundëson atyre që të lajnë edhe sytë në mëngjes.
“Jam në Gjermani prej 56 vitesh. Mbrëmë kam ardhur shumë orë kam vozit, dhe u zgjova në mëngjes e para gjë që na duhet uji, por ujë nuk ka. Kam dal me kofa kam mbush ujë dhe kam ngroh ujin sikurse para 50 vitesh. As në xhungël në Afrikë s`është kjo situatë. Si t’iu them s`ka më keq”, tha një mërgimtar.
“As që do vjen uji, as që do vjen, edhe po të vjen uji është i ndotur. Frikemi ta pimë. Që prej pesë vitesh ne nuk pimë ujë, shkoj në Mavrovë dhe në Trnic mbushi ujë për pije. Uji primar është mor vëlla, për gjithë gjallesat ajri dhe uji këto janë dy faktorët kryesor”, tha një banor.
“Berbat katastrofë, uji nuk bën se çka ndodh nuk e di. S`ka ujë në dyqan e marrim. Sjellin ujë me kamiona, por kush të mbush i parë, në këtë nxehtë. Po edhe dimër edhe verë ujë duhet. Thonë edhe dy tre ditë do rregullohet puna po s`ka. Kjo është punë politike, keq pa ujë, nuk rrihet pa ujë, nuk jemi në fshat që kanë çezma publike e do mbushim. Nuk e di se çka ndodh se di”, u shpreh një gsotivaras.
Njoftim se kur do kthehet uji i pijes në çezmat e gostivarasve nuk ka, edhe përkundër premtimeve të shtabit të krizës por edhe kryeministrit se së shpejti banorët do kenë ujë për pije.
Nga ana tjetër, sipas drejtorit të Spitalit të përgjithshëm të Gostivarit, numri i pacientësve me simptoma nga uji i kontaminuar është në rënie. Ai thotë se akoma nuk është regjistruar asnjë rast me Hepatitin A dhe E, për të cilat ditë më parë thanë se ekziston si rrezik i mundshëm.
“Numri i pacientëve është vazhdimisht në rënie. Sa i përket numrit në 24 orët e fundit, në Pediatri kemi pasur 17 pacientë ndërsa në repartin e infektologjisë 15. Numri është i zakonshëm për këtë periudhë kohore sepse edhe vitet tjera njëjtë ka pasur kaq.
Gazetari:Drejtor shumica e mjekëve paralajmërojnë për paraqitje të hepatitit A dhe E, a e ndiqni a ka raste?
“Po me atë punë merren epidemiologët dhe edhe më tej bëjnë anketa epidemiologjike. Ministria ka bërë një formular të posaçëm për këstë dhe ndiqet situata. Deri më tani nuk kemi të regjistruara raste të tilla”, deklaroi Emri Bajrami, drejtor i Spitalit të përgjithshëm të Gostivarit.
Uji për momentin në Gostivar, në ato vendbanime ku ka ujë, është vetëm për përdorim teknik, ndërsa për pije, vazhdojnë edhe më tej të vlejnë ndalesat e vendosura nga Agjencia për Ushqim dhe veterinari, deri në daljen e dy rezultateve negative radhazi, pas çka pritet të jepet edhe leja për konsumim të ujit./Alsat.mk.








