Duke e zbërthyer rrezikun sipas kohës së kaluar në ndërrime të natës, studiuesit kinezë parashikuan se rreziqet rriteshin me rreth 3.3 për qind për çdo pesë vjet të kaluar në turne të rregullta të natës.
Ata arritën në përfundimin pasi analizuan 61 studime që shqyrtonin lidhjen midis ndërrimeve të gjata të natës dhe 11 llojeve të kancerit.
“Duke pasur parasysh prevalencën në rritje të punës me turne në mbarë botën dhe barrën e madhe publike të trajtimit të kancerit, ne filluam këtë studim për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj kësaj çështjeje,” tha autori kryesor Dr. Xueliei Ma, një onkolog në Qendrën Mjekësore në Universitetin Sichuan të Kinës Perëndimore. .
Studiuesit zbuluan se punonjësit e turneve të natës kishin 41 për qind më shumë gjasa për t’u prekur nga kanceri i lëkurës dhe 32 për qind më shumë gjasa për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Megjithatë, rreziku i rritur i kancerit të gjirit është vërejtur vetëm në popullatat evropiane dhe të Amerikës së Veriut.
Infermieret që punonin në turne të natës kishin 58 për qind më shumë gjasa të zhvillonin sëmundjen në krahasim me gratë që punonin vetëm gjatë ditës.

Studimi, i botuar në revistën Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention, analizoi njerëzit sipas profesionit dhe zbuloi se infermierët që punonin në turne të natës kishin rritjen më të lartë të rrezikut të kancerit se çdo grup tjetër.
“Një shpjegim i mundshëm për rritjen e rrezikut të kancerit në popullatën infermierore të turneve të natës mund të lidhet me kërkesat specifike të punës,” thotë Dr. Ma.
Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se njerëzit që punojnë në turne të natës kanë më shumë gjasa të kenë vështirësi në gjetjen e kohës për të ushtruar. Ata janë zbuluar gjithashtu se kanë zakone jo të shëndetshme të të ushqyerit dhe stilit të jetesës, siç është pirja e duhanit, i cili është një faktor kryesor rreziku për kancerin dhe një sërë sëmundjesh të tjera.
Gati katër milionë gra nga Amerika e Veriut, Evropa, Australia dhe Azia morën pjesë në të gjitha studimet nga analiza e lartpërmendur.
“Studimi ynë tregon se puna në turne të natës shërben si një faktor rreziku për kanceret e zakonshme tek gratë. Këto rezultate mund të ndihmojnë në vendosjen dhe zbatimin e masave efektive për të mbrojtur gratë që punojnë në turne të natës. “Gratë që ushtrojnë një punë të tillë për një kohë të gjatë duhet të bëjnë kontrolle të rregullta sistematike”, përfundoi Dr.Ma.








