Greqi, kryeministri urdhëron përjashtimin e një deputeti

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis urdhëroi përjashtimin nga grupi parlamentar të një deputeti të partisë në pushtet Demokracia e Re (ND) të martën pasi ai sulmoi komunistët në Greqi dhe i etiketoi ata si kërcënim.

Konstantinos Bogdanos, duke iu referuar deklaratave të kolonelit nacionalist grek Georgios Grivas, një figurë e krahut të djathtë nga Lufta e Dytë Botërore, tha: “Grivas thotë se kemi tre armiq: britanikët, turqit dhe komunistët. Rreziku më i madh, thanë ata, janë komunistët”.

Mitsotakis, i cili ndodhet në Slloveni, u informua për incidentin dhe urdhëroi largimin e tij.

Deklaratat ngjallën zemërim në Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), e cila akuzoi Bogdanos se përdori retorikë në fjalimin e tij të ngjashëm me atë të partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë”.

Bogdanos u denoncua nga ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, i cili e kritikoi duke thënë: “Ne nuk jemi këtu për t’u kthyer në të kaluarën e keqe të vendit tonë, por për të diskutuar për të ardhmen e vendit tonë”.

Bogdanos u kritikua gjithashtu për vendosjen e një kurore së bashku me ish-deputetin e “Agimit të Artë”, Ilias Kasidiaris në një ceremoni në Vitsi në rajonin Kastoria të Greqisë në një ngjarje që përkujtonte betejën e luftës civile ku Ushtria Kombëtare shpartalloi Ushtrinë Demokratike të Greqisë të lidhur me komunistët.

“Çdo përpjekje sot për të projektuar në jetën politike moderne të vendit momentet e dhimbshme të së kaluarës për përfitime partiake-politike është e papranueshme. Shoqërimi me Kasidiaris është i papranueshëm dhe vendosja e një kurorë me ‘Agimin e Artë’ është gjithashtu e papranueshme”, tha Dendias.

Bogdanos i bëri deklaratat gjatë një debati parlamentar në lidhje me marrëveshjen e fundit të mbrojtjes midis Greqisë dhe Francës.

Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që deputeti i krahut të djathtë paralajmërohej për deklaratat e tij.

Muajin e kaluar, Bogdanos, i cili dihet se posedon një ideologji anti-emigrante, shkroi në Twitter një listë me emrat e fëmijëve emigrantë në një kopsht të Athinës, duke thënë se ata janë shumicë ndërsa vetëm dy emra grekë ishin në listë.

LEXO EDHE:

Back to top button