fbpx

Greqia po bën përpjekje për të strehuar migrantët që pësuan nga zjarret


Të enjten, autoritetet greke thanë se po bëjnë përpjekje për të strehuar mijëra migrantë të mbetur të pastrehë, në ishullin Lesbos, pasi kampi kryesor u shkatërrua nga zjarret.

Ministria e Migracionit tha se ka dërguar anije për të strehuar përkohësisht qindra njerëz.

“Sot do të merren të gjitha veprimet e nevojshme për të strehuar menjëherë familjet dhe personat në nevojë”, thanë nga ministria.

Masat e autoriteteve greke po zbatohen para vizitës së paralajmëruar të nënpresidentit të Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, për të inspektuar kushtet në ishull.

Zjarri i parë që shpërtheu të martën vonë në kampin Moria, detyroi mijëra migrantë të largohen në ullishtet përreth.

Ministri i Migracionit në Greqi, Notis Mitarachi, tha se migrantët ishin fajtorë për ndezjen e zjarrit, për shkak të vendosjes së masave të karantinës, pasi 35 njerëz në kamp rezultuan pozitivë për koronavirusin e ri.

Zyrtarët kanë shpallur një emergjencë katër-mujore në Lesbos dhe kanë dërguar në polici shtesë të trazirave.

Vendet evropiane nga Gjermania në Norvegji – së bashku me shefat e BE-së janë përgjigjur me oferta ndihme, mes thirrjeve për reforma urgjente të sistemit të azilit të bllokut evropian.

Që kur u bë një nga portat kryesore në Evropë për migrantët dhe azilkërkuesit më 2015, Greqia ka ndërtuar dhjetëra qendra ndalimi në të gjithë vendin./REL/

LEXO EDHE:

Back to top button