Grevë në shkolla dhe çerdhe – Alsat sjellë detajet

Grevë në shkolla dhe çerdhe – Alsat sjellë detajet

Gazetare: Melihate Rustemi

Shkollat fillore dhe të mesme sot dukeshin sikur janë në pushim veror ose ditë feste për shkak të fillimit të grevës së përgjithshme të organizuar nga Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Mësimdhënësit grevistë qëndronin në hapësirë të posaçme dhe nuk zhvillonin procesin edukativo arsimor.

Alsat vizitoi shumë shkolla. Gjithkund mësimdhënësit mbështesin grevën dhe janë të vendosur që mos të heqin dorë deri në plotësimin e kërkesave, sidomos asaj të rritjes së pagave.

“Javën e kaluar nxënësit u njoftuan se do të ketë grevë në shkollë. Sot në mëngjes pak nxënës erdhën në shkollë,  numri më i madh i prindërve nuk i sollën fëmijët në mësim”, tha Marina Popovska, sh.f “26 korriku”.

“Unanimisht, të gjithë profesorët e kanë pranuar dhe të gjithë janë të pranishëm. Sa për nxënës mund të ju them se numri ishte sa për sy e faqe, sa i pashë ishin dy-tre nxënës”, theksoi Burim Aliu, profesor “ZLM”.

“Nuk arrijmë me rrogën vetëm ngrohjen dimërore ta furnizojmë për familjen e ku më shporta familjare që është 36 mijë denarë”, pohoi Ferat Nesimi, gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” Tetovë.

Nxënësit që erdhën në mësim u kthyen në shtëpi të shoqëruar nga prindërit.

“S’kemi mbajt mësim, kemi qenë 7 vetë dhe nuk kemi mbajt mësim. Të gjithë arsimtarët ishin aty por kanë qenë në zyrë”, tha një nxënëse.

“Sa nxënës gjithsej jeni në klasë? 32. Po sot? Asnjë, vetëm unë. Babi bisedoi me mësuesen, i tha çfarë të bëj. Nuk dua të humbi nga mësimi”, u shpreh një nxënëse tjetër.

“Besoj që mësimi duhet të vijoj në rregull për shkak se nuk bisedohet për një ose dy prind por për një masë më të madhe të prindërve”, tha një prind.

Edhe në çerdhe kishte grevë por prindërit që sollën fëmijët kërkonin kujdes të patjetërsueshëm për fëmijët e tyre.

“Çerdhet, në bazë të ligjit për mbrojtje të fëmijëve duhet ti pranojnë fëmijët kështu që nuk kemi lajmërim se nuk punojnë. Nuk kam ku ta lë, patjetër duhet ti bëjnë zgjidhje. Është e drejtë e tyre të protestojnë dhe të mbajnë grevë megjithatë çerdhet patjetër e kanë që të kujdesen për fëmijët”, u shpreh një prind tjetër.

“Greva ka filluar dhe të punësuarit që janë në sindikatë janë në hapsirë të posaçme ku mbajnë grevë. Fëmijët janë kujdesur nga punonjësit zëvendësues, ata që nuk janë anëtarë dhe ata që janë me marrëveshje pune”, tha Elizabeta Jovanovska, çerdhja “Mladost” Tetovë.

Sipas SASHK-ut, në grevë të përgjithshme janë punonjësit e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme , të cilët kërkojnë rritje të menjëhershme të pagave për 18.4 %./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button