Gruevski, përvеç shtetësisë hungareze, posedon edhe kompaninë e tij

Gazetare: Fatlume Dervishi

“Miku i mirë i Viktor Orban, maqedonasi i dënuar Nikola Gruevski, i cili iku në Hungari në vitin 2018 dhe mori azil, filloi biznesin e tij në verën e vitit 2021 dhe themeloi një kompani konsulence me emrin I.C.I.C Kf.”
Kështu e fillon portali hungarez “444” historinë për kompaninë e ish-kryeministrit Nikola Gruevski në Hungari. Sipas portalit, është një mini-biznes, pasi nuk ka punonjës. Pavarësisht faktit se nuk është rritur fare në 5 vitet e fundit, asgjë nuk kërcënon stabilitetin e tij, analizon portali.

Raportet vjetore sugjerojnë se Gruevski mund të ketë një klient fiks që e paguan çdo vit për këshillat e tij.
Vitin e kaluar, kompania pati të ardhura prej 9,600 eurosh, kurse një vit më parë rreth 11,600 euro. Që nga themelimi i saj në vitin 2021, nga llogaria e kompanisë Gruevski ka tërhequr rreth 45 mijë euro. Portali shkruan se deri më sot nuk dihet me kë kishte marrëdhënie biznesi ish-kryeministri i dënuar. E tëra që dihet është se ai kishte marrëdhënie veçanërisht të mira me Orban, siç kishte edhe me ish-Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Sijarto. Ky i fundit e priste rregullisht Gruevskin në zyrën e tij për të kërkuar këshilla mbi çështjet që lidhen me Ballkanin Perëndimor. Sipas Sijartos, ai ishte personi nga i cili mund të merrte informacionin më të besueshëm në lidhje me rajonin, pasi kishte qenë kryeministër për 10 vjet.

Dje, portali investigativ “ViSquare”, duke cituar burime në qeverinë hungareze, raportoi se Gruevski kishte marrë shtetësinë e plotë hungareze në vitin 2022 në bazë të “interesit shtetëror të Hungarisë”.
Sipas portalit, Gruevski vazhdon të banojë në Hungari dhe shtetësia hungareze e ndërlikon ndjeshëm mundësinë e ekstradimit të tij në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Drejtësisë njoftoi dje se “pavarësisht spekulimeve dhe informacioneve jozyrtare se ish-kryeministri Nikola Gruevski ka fituar shtetësinë hungareze, ai mbetet shtetas maqedonas dhe procedura për ekstradimin e tij vazhdon”./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button