Gruevski u dënua me 7 vjet burg dhe mbeti pa parcela e pa banesa

Gruevski u dënua me 7 vjet burg dhe mbeti pa parcela e pa banesa

Gazetar: Igor Stefanovski

U pasurua dosja gjyqësore e ish-kryeministrit të Maqedonisë, tani azilantit në Hungari, Nikolla Gruevski, shkruan Alsat.

Ai u dënua me shtatë vite të tjera burg për fshehjen e pasurisë në rastin “Parcelat në Vodno”. Kushëriri i tij, ish-shefi i policisë sekrete Sasho Mijalkov, u dënua me një vit e tre muaj burg, ndërsa biznesmeni Orce Kamçev me një vit. Kumbari i Gruevskit nga martesa e parë, Risto Novaçevski dhe bashkëpunëtori i Kamçevit, Nenad Josifoviq morën dënim me kusht. Nëna e Kamçevit, Ratka, është shpallur e pafajshme sepse vepra e saj është vjetëruar.

“Aktivitetet e aktorëve në procesin e larjes së parave, nuk munden menjëherë dhe qartë të njihen sepse thelbi i larjes së parave është të fshihet burimi dhe pronësia e parave të pista. Në këtë kuptim, mënyra më efikase e zbulimit është të ndiqet rruga e parave”, deklaroi – Ilija Trpkov, gjyqtar.

Gjykata i konfiskoi pronën Gruevskit. Bëhet fjalë për banesa dhe parcela në Vodno. Në konfiskim përfshihen tre banesat luksoze në “Panorama Residence”, si dhe dy banesa në rrugën Bihaqka. Nga konfiskimi janë përjashtuar pronat në pronësi të nënës së Gruevskit. Prokurorja Lile Stefanova tha se sipas vlerës së tregut, pasuria e konfiskuar e të gjithë të dënuarve kap vlerën e rreth 3 milionë eurove.

“Vlerësoj se Prokuroria në këtë rast ofroi dhe shpalosi prova cilësore nga të cilat plotësisht u dëshmua dispozitivi i aktakuzës”, tha Lile Stefanova, Prokurore.

Megjithatë, Stefanova nuk u mjaftua me masën e dënimit të Gruevskit dhe Mijalkovit dhe paralajmëroi ankesë. Ankesë paralajmëroi edhe mbrojtja. Avokati i Mijallkovit thotë se ndaj tij nuk ka pasur prova, e as nuk i është konfiskuar pasuria në “Parcelat në Vodno”.

“Neve nuk na pëlqeu dënimi i shqiptuar që është më i ashpër nga ato që kanë bërë larjen e parave, ndërsa ndihmësi, kinse, gjatë larjes së parave është dënuar më ashpër sesa ata që e kanë kryer veprën penale”, tha Zvonko Davidoviq, avokat i Mijalkovit.

Sipas aktgjykimit, paratë nga anëtarësia e VMRO-DPMNE-së, që janë paguar në emër të partisë, kanë përfunduar te Gruevski. Me ato para, përmes Belizes, Gruevski ka blerë prona në Shkup, dhe ka fshehur pronësinë. Bëhet fjalë për pronë prej 1.3 milionë euro./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button