Hallakama në QKU “Nënë Tereza”, nga një derë në tjetrën, 3 orë pritje për kontrolle dhe radhë të gjata – Punimet që premtoi Taravari, nuk shihen askund!

Hallakama në QKU “Nënë Tereza”, nga një derë në tjetrën, 3 orë pritje për kontrolle dhe radhë të gjata – Punimet që premtoi Taravari, nuk shihen askund!

 Gazetare: Linda Ebibi

Qytetarët në klinikat universitare të Nënë Terezës çdo ditë përballen me kaos dhe pritje të gjata, shkruan Alsat.

Për të marrë një shërbim mjekësor pacientët duhet të bredhin nga sporteli në sportel. Pacientët fillimisht duhet të paraqiten në njërin nga sportelet, më pas udhëzohen drejt dhomës së vetme që ofron shërbime, në hyrje të së cilës ka radhë të gjata për konsultim me mjekun. Pas kontrollit, në të shumtën e rasteve mjekët japin udhëzim për në laboratori për analizat e gjakut, pasi të marrin rezultatin, pacientët sërish përballen me pritje të gjata para dyerve të mjekut për  terapinë. Sorollatja nga njëra në derën tjetër nëpër labirintet e Klinikave për qytetarët do të thotë më shumë se tre orë pritje.

Ndërkohë shpesh ndodh që disa pacientë, të cilët pasi kanë pritur me orë të tera për kontroll dhe konsultë nuk pranohen për shkak se mjekët u thonë se udhëzimet nuk i kanë në rregull.

“Për prostatën presim, varet se sa ka rrëmujë. Sa prisni? Një deri në tre orë”, tha një qytetar.

“Për zotin pak kam pritur… Unë kam pritur 15 minuta”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Po. Sa prisni? Shumë. Varet prej repartit, megjithatë një orë më së paku”, theksoi një qytetar.

“Prita, por kot që prita nuk më pranojnë. Pse nuk ju pranojnë? Sepse vetëm me prioritet udhëzimet, duhet me terim.. Sa kohë prisni? Mos pyet se sa kohë, nuk e di sa është ora, është rrëmujë, vetëm me terminë punojnë”, tha një qytetar.

“Si të qëllohet, ndonjëherë kur të ketë kallaballëk. Deri në gjysmë ore në një orë. Sa e mbaj mend unë është kështu, unë prej Kumanovë, se atje thuajse nuk ka mbetur asgjë na shëtitin këtu për asgjë”, u shpreh një qytetar.

“Më thanë të sjellë udhëzim përmes “Termini im”. Prita, ishte rrëmujë, isha dje edhe sot”, tha një qytetar.

Përveç kaosit brenda, pacientët përballen me kaos dhe pritje edhe jashtë. Nuk ka mjaftueshëm parkingje.

“Problemi është parkingu, dhe jo të shëtitet ministri nëpër Amerikë”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Shiko se në çfarë ngjanë, do të vdesë pacientë në veturë para se të arrijë në spital. Turp, askush nuk bënë asgjë kjo është turp”, theksoi një qytetar.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari kohë më parë deklaroi se punimet për ndërtimin e garazheve në kate do të fillojnë në fund të janarit dhe deri në qershor do të ketë dyfish më shumë vend parkime në qendrën klinike.

Por fundi i janarit erdhi, ndërsa ky premtim nuk duket askund. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button