Hamasi liron pengjet izraelite

Hamasi liron pengjet izraelite

Gazetare: Fatlume Dervishi

Hamasi liroi të 20 pengjet e mbetura të gjallë, si pjesë e një armëpushimi që ndërpreu dy vjet luftë në Rripin e Gazës. Qytetarët u mblodhën në Tel Aviv për të festuar rikthimin e tyre.

Njëkohësisht, palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar u gëzuan ndërsa të burgosurit e liruar si pjesë e marrëveshjes dolën nga burgu. Janë gjithsej rreth 1900 palestinezë të duhet të lirohen nga burgjet izraelite. Izraeli ka premtuar edhe lirimin e ndihmave humanitare në Gaza.

“Nuk mund t’i përshkruaj ndjenjat e mia. Jam midis njerëzve dhe familjes sime. Jam i lumtur, shumë i lumtur”, tha Mohamed Al-Khatib, palestinez i burgosur i liruar.

“Peshoja 127 kilogramë dhe sot jam 68 kilogramë. Ishte një udhëtim i papërshkrueshëm vuajtjesh, urie, trajtim i padrejtë, shtypje, torturë dhe malltretime më shumë sesa që mund të imagjinoni”, tha Kamal Abu Shanab, i burgosur i liruar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi këtë si “një ditë të rëndësishme”.

“Fëmijët e Abrahamit do të punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Një të ardhme që do të bashkojë qytetërimin kundër barbarizmit, dritën kundër errësirës dhe shpresën kundër dëshpërimit. Dhe miqtë e mi, unë besoj se me udhëheqjen e Presidentit Tramp, kjo do të ndodhë shumë më shpejt sesa mendojnë njerëzit”, u shpreh Benjamin Netanjahu, Kryeministri izraelit.

Lirimet erdhën ndërsa Presidenti amerikan Donald Tramp ishte në Izrael për të festuar armëpushimin dhe marrëveshjen e pengjeve të ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Izraelit dhe Hamasit.

“Mendoj se kemi një marrëveshje të shkëlqyer. Dhe është një marrëveshje e shkëlqyer për të gjithë. E dini, një marrëveshje e shkëlqyer është një marrëveshje ku të gjithë janë të lumtur”, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Tramp do të diskutojë marrëveshjen e propozuar nga SHBA-ja dhe planet e pasluftës me udhëheqës të tjerë në Egjipt më vonë të hënën./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button