Hamza Ramani: Nuk do të mungojë fitorja ndaj Vardarit

Sot në stadiumin në Çair do të zhvillohet derbi i javës së 25-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, ku FC Shkupi do të përballet me Vardarin. Ky duel luhet të shtunën, shkaku i ndryshimit të orarit të ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, që do të luhen me 2 prill.

FC Shkupi gjatë pauzës dyjavore  shkaku i aktiviteteve të përfaqësueses së vendit, ka zhvilluar miqësore ndaj Arsimit të Ligës së Dytë, të cilën ndeshje e fitoi me rezultat 1-3.

“Ndeshja ndaj Vardarit është me rëndësi të madhe për ne, duke ditur faktin se kishim një periudhë të vështirë me disa barazime. Të shtunën kthehemi në fushën tonë dhe me shumë përkushtim e punë për të marrë rezultate më të mira. Ne duelin kundër Vardarit me përkrahjen nga ana e “Shvercerave”, fitorja nuk do të mungon, duke ditur se qëllimi ynë mbetet i njëjtë, i duam dy titujt në Çair. Sigurisht se asgjë nuk është e lehtë, mirëpo me përkushtim dhe me punë në grup, do të arrijmë objektivat e dëshiruara”, është shprehur Ramani, i cili është edhe anëtar i rregullt i përfaqësues së Maqedonisë U21.

Gjatë këtij sezoni Fc Shkupi ka marrë dy fitore ndaj Vardarit. Fillimisht shënoi fitore si mysafir me rezultat 1-0 dhe më pas në stadiumin në Çair mundi kuqezinjët me 2-0. Te vendasit, shkaku i pesë kartonëve të verdhë, do të mungojë Blerton Sheji.

Ndeshja Shkupi – Vardari nis në orën 15:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri shkupjan, Marjan Mlladenovski.

LEXO EDHE:

Back to top button