Hapet rruga për heqjen e roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ndër të parat që nënshkruan marrëveshjen
Hapet rruga për heqjen e roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ndër të parat që nënshkruan marrëveshjen
Gazetar: Angell Dimovski
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të kenë kosto shtesë gjatë realizimit të thirrjeve, dërgimit të mesazheve apo përdorimit të internetit celular gjatë udhëtimeve në vendet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian formalisht hapi rrugën për heqjen e roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo masë përfshin Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë- Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë. Ministri i Transformimit Digjital deklaroi se vendi do të jetë ndër shtetet e para që do ta nënshkruajë marrëveshjen.
“Paketat që ata paguajnë te operatorët vendorë për internet, telefoni dhe SMS do të vlejnë edhe kudo në Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton se nuk do të kenë kosto shtesë për thirrje, mesazhe apo për përdorimin e internetit, diçka që qytetarët tashmë e shfrytëzojnë përmes një nisme tjetër rajonale, e ajo është roamingu për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Stefan Andonovski, ministër për Transformim Digjital.
Edhe pse nga Komisioni Evropian thonë se rruga drejt zonës së roamingut mund të jetë e gjatë, pasi secili prej vendeve duhet të harmonizohet plotësisht me rregullat evropiane, Andonovski vlerëson se këto shërbime do t’i kemi në dispozicion gjatë vitit 2026.
“Мund të them se deri në mesin e marsit ne do të jemi gati si me ligjin, ashtu edhe me rregulloret, nëse ato konfirmohen nga Komisioni Evropian. Më pas lëmë hapësirë që edhe Komisioni Evropian ta bëjë hapin e vet dhe pres që kjo të ndodhë shpejt. Pres që kjo të realizohet gjatë vitit 2026”, tha Stefan Andonovski, ministër për Transformim Digjital.
Për heqjen dhe uljen e tarifave të roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor nisi të flitet që në vitin 2018, kur u paralajmërua se Bashkimi Evropian po punon për një model roamingu më të lirë me rajonin, si pjesë e procesit të integrimit. Një hap konkret u ndërmor në vitin 2019 me nënshkrimin e Marrëveshjes Rajonale të Roamingut me çka filloi heqja e roamingut brenda vetë rajonit. /Alsat.mk








