Hapet sezoni turistik në Kodrën e Diellit – Vazhdojnë ende problemet e vjetra

Gazetar: Bashkim Sylejmani

Edhe pse janë bërë disa përmirësime në infrastrukturën e pistave të skijimit, është rregulluar ndriçimi dhe do të lëshohen në përdorim të gjithë skiliftët, Kodra e Diellit megjithatë edhe këtë sezon do të hapet me problemet e vjetra, shkruan Alsat.

Mungesa e vendeve të reja për parkim do të jetë sfidë edhe këtë sezon turistik. Drejtori i Elem Turs, i cili menaxhon me Kodrën e Diellit tha se si zgjidhje e përkohshme do të jetë lëshimi në qarkullim i disa furgonëve.

“…kapaciteti i parkimit në Kodër të Diellit rritet në mbi 300 makina. Nuk do të thotë se e kemi zgjidh problemin, por kemi mundësuar edhe për 300 makina shtesë. Pasi kryesisht në vikende kemi më shumë radhë të makinave që arrijnë deri tek guri i madh, ne do organizojmë që ata turistë me mjetet tona t’i bartim nga kolona poshtë deri në qendër këtu, pra do ketë shattle buss pa pagesë për gjithë turistët”, tha Adem Avziu, Drejtor i Elem Turs.

Problematike mbetet edhe më tej edhe lagjja e vilave. E njëjta vazhdon të jetë me infrastrukturë të tejet të dëmtuar dhe pa ndriçim. Për të njëjtën ashtu sikurse edhe shumë herë të tjera, edhe kësaj here u premtuan investime. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ka thirrur madje kreun e komunën së Tetovës Bilall Kasami, për të bashkëpunuar në zgjidhjen e këtij problemi në Lagjen e Vilave.

“Me menaxhmentin paraprak të komunës kemi biseduar këtë problematikë disa herë dhe arritëm në fazë përfundimtare për t’i realizuar qoftë problemet e infrastrukturës në vikend shtëpiza apo përmirësimin e ndriçimit publik, por edhe rritjen e kapaciteteve të parkingut. I bëj thirrje kreut aktual të komunës, zotit Kasamit që të thellojë bashkëpunimin me institucionet qendrore qoftë për këto projekte apo pse jo me investime të thithim edhe turistët”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sezoni i sivjetmë i skijimit pritet të hapet më 15 dhjetor, ndërsa deri atë ditë, pritet të përfundojnë tërësisht edhe parapërgatitjet për sezonin e ri. Përndryshe, sivjet për herë të parë, të gjitha pistat e skijimit do të jenë të ndriçuara, ndërsa janë vënë shtesë edhe tualete publike, dhe baraka të reja për shitësit ambulant. Dy ditët e para, me hapjen e sezonit të ri të skijimit, skiliftët do të jenë falas për gjithë vizitorët./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button