Harrohen uniformat e policisë në dy gjuhë

Zbatimi i Ligjit për gjuhët në uniformat e policisë mbetet premtim në letër. Qeveria thotë se aktet normative të dorëzuara nga ish ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu janë në procedurë. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski nuk jep afat kur do të kërkojë dekretin për zbatimin e gjuhës shqipe në uniformat dhe emblemat e forcave të rendit.

 Gjendet në procedurë qeveritare dhe kur do të mbarojë do të vendoset për zbatimin e këtyre normave ligjore”-tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Dygjuhësia në uniformat e policisë bazohet në dispozitat e nenit 8 të ligjit për gjuhët.

Neni 8, paragrafi 3:

“Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë: në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj”.

Pikërisht ky nen ishte njëri ndër pjesët më të kontestuara të ligjit për çka Qeveria vendosi që tekstin e ligjit ta dërgojë për mendim profesional në Komisionin e Venecias. Mendimi i tyre ishte se çështja e dygjuhësisë në uniforma nuk rregullohet me legjislacion apo konventa ndërkombëtare dhe për këtë arsye zbatimi i gjuhës shqipe në uniforma nuk ka bazë të kontestohet. Ish ministri i Brendshëm, Nuhiu aktet normative i nënshkroi me 10 gusht, ndërsa që atëherë Qeveria ishte e obliguar të miratonte dekretin mbi të cilin bazohet zbatimi i gjuhës shqipe në uniformat e forcave të rendit. Pas dekretit, dikasteri për Punë të Brendshme duhet të caktojë Rregulloren në bazë të cilës zbatohet gjuha shqipe në emblema dhe uniforma ndërsa më pas të rregullojë edhe procedurat e tenderimit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button