Harry Styles flet pas një kohe të gjatë për humbjen e Liam Payne
Harry Styles flet pas një kohe të gjatë për humbjen e Liam Payne
Harry Styles ka folur hapur për dhimbjen pas vdekjes së ish-bashkëpunëtorit të tij në One Direction, Liam Payne, transmeton KultPlus.
Në një intervistë për Apple Music me Zane Lowe, Styles ka rrëfyer se një nga aspektet më të vështira të humbjes ishte mënyra se si publiku, në një farë forme, “bëhet pjesë e pikëllimit tënd”. Ai ka pranuar se përjetimet personale shpesh shoqërohen me pritshmëri të jashtme për t’i shprehur ato publikisht, duke e bërë procesin edhe më të ndërlikuar.
“Kam ndjenja shumë të forta për humbjen e mikut tim. Dhe pastaj papritur bëhesh i vetëdijshëm se ekziston një lloj dëshire nga të tjerët që ta shprehësh atë dhimbje në një mënyrë të caktuar, sikur ndryshe nuk po ndien mjaftueshëm,” është shprehur ai.
Duke folur për Payne, Styles e ka përshkruar si një person me “zemrën më të mirë”, që dëshironte vetëm të arrinte më të mirën në jetë. Ai e ka quajtur mikun e tij “një person super të veçantë”, duke theksuar se humbja e tij ka qenë një moment reflektimi të thellë personal.
Sipas Styles, mënyra më e mirë për të nderuar një mik të ndjerë është të jetosh jetën në mënyrën më të plotë të mundshme, me vetëdije dhe kuptim.








