Heqja e vizave, mbush autobusët për në Evropë

Heqja e vizave, mbush autobusët për në Evropë

Përveç me aeroplan dhe automjete, qytetarët e Kosovës tashmë kanë nisur të lëvizin pa viza në zonën Shengen edhe me automjete transportuese. Disa autobusë janë mbushur me udhëtarë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, për të udhëtuar në Evropë.
Qytetarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë me autobus kanë mirëpritur liberalizimin e vizave nga 1 janari, por theksojnë se çmimet e biletave janë të larta.

“Unë jam gëzuar shumë edhe jam shumë i kënaqur, edhe tanimë njerëzit munden me udhëtuar për të shkuar në Evropë për të shikuar se si është atje. Këto që i kamë parë unë diku rreth 200 euro bileta për me shkua, por tani të shohim ndoshta bëhet edhe më lirë”, tha Daut Krasniqi, qytetar.

Ndërkaq ndryshe nga Krasniqi, qytetari Qazim Berisha tha se kushtet që i kanë vendosur janë të vështira për t’i përballuar.

“I kemi prit me padurim edhe jemi të kënaqur tani vazhdojmë shkojmë lirë, por pak i kanë bërë kushtet të vështira si po thonë me standarde të Kosovës me çka do me shkua atje. Por ndoshta do të na lehtësojnë këto viza, sepse shumica shkojnë, ai që ka diko jashtë i ndihmon, i dërgojnë pare dhe vazhdojnë. Tani që po e përcjelli nipin në Itali, bileta kthyese është 140 euro”, shtoi Qazim Berisha, qytetar.

“Jemi gëzuar shumë, sepse do të vinë familjarë të na vizitojnë dhe është më e lehtë për gjithçka… Me aeroplan janë shtrenjtë biletat shumë, ndërsa me autobusë janë 70 euro”, u shpreh Auguton Limani.

Granit Veselaj nga një agjenci e autobusëve tha se qytetarët ende nuk i dinë rregullat për të udhëtuar pa viza. Ai gjithashtu tregoi edhe për çmimet që kjo agjenci i ka për udhëtarët që udhëtojnë nëpër Evropë.

“Pak më shumë ne kemi obligim që t’i shpjegojmë secilit se çka duhet e si duhet dhe çfarë dokumente duhen për udhëtim. Norma, është në rritje pak numri i udhëtarëve, dikush shkon me vizitua dikë që nuk ka qenë, por ka rritje ka kërkesa…04:13 Çmimet e biletave dallojnë nga shtetet dhe qytetet, qyteti më i afërt Trieste është 50 euro”, theksoi Granit Veselaj, agjencia e autobusëve.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button