Hoxha: Kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, nuk ka vend për kompromise
Muamet Hoxha, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot në Qeveri, komentoi situatën e ujit në Gostivar.
Ai tha se ndotja e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar është një incident serioz i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e mijëra qytetarëve.
Hoxha tha se pret që të përcaktohen plotësisht të gjitha faktet dhe rrethanat, si dhe të përcaktohet përgjegjësia penale dhe morale.
“Furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e sistemeve të ujësjellësit, grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza, janë kompetencë e komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale. Pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për vendosjen dhe mbrojtjen e zonave sanitare mbrojtëse rreth burimit të ujit”, tha Hoxha.








