Hoxhaj: Mosanëtarësimi i Kosovës në OKB dhe autonomia për serbët e veriut, rreziqet e dialogut me Serbinë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në një diskutim online me Kongresin Panshqiptar Amerikan (KPA) për ato që i quan si “rreziqet e dialogut Kosovë-Serbi”.
Lajmi u bë publik nga z. Hoxhaj, i cili shprehet se ka përgëzuar themeluesit dhe anëtarët e këtij kongresi për angazhimin serioz dhe konkret, që kanë treguar si për Kosovën ashtu dhe për popullsinë shqiptare.
Ai thotë se pjesa, që e shqetëson më shumë në këtë proces është fakti se Kosova nuk ka hartuar një platformë konkrete për dialogun me Serbinë.
“Duke folur për dialogun Kosovë- Serbi, unë ritheksova qëndrimin e PDK-së se Kosova duhet të jetë aty ku është Amerika. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, si përgjegjëse për dialogun, sot është pa një platformë që ngërthen në vete parimet, qëllimet, afatet kohore dhe vijat e kuqe të dialogut. PDK pret një platformë të tillë në Kuvendin e Kosovës, si vendin e vetëm ku duhet të flitet dhe të merren vendime në lidhje me këtë çështje.”, shkruan Hoxhaj.
Kreu i PDK-së thotë se Kosova rrezikon të mbetet si një entitet territorial duke humbur kapacitetin e mirëfilltë për të qenë aktore e barabartë si shtetet e tjera, nëse Qeveria e Kurti nuk e merr seriozisht anëtarësimin në OKB dhe kjo do të ishte humbje e një rasti historik për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës.
“Rreziku i dytë që paraqitet është autonomia për serbët e Kosovës dhe statusin e ekstraterritorialitetit për Kosovën, që do të shkatërronte përbrenda shtetësinë tonë. Kjo do të forconte pozitën e shtetit serb në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje. Prandaj, duke parë sfidat, rreziqet dhe paaftësinë e Qeverisë së Kosovës për t’u ballafaquar seriozisht me këtë çështje, si kryetar i PDK-së kërkova edhe nga Kongresi Panshqiptar lobimin e mëtejshëm në Washington, si adresën historike në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve”, shton Hoxhaj.








