BDI harroi premtimin për orar të shkurtuar gjatë të premteve

Zyrtarët e BDI-së, dikur të zëshëm rreth idesë që të premten të punohet deri në orën 12 ose 13, sot nuk denjuan të na përgjigjen nëse është marrë ndonjë iniciativë konkrete për realizimin e këtij premtimi. Nëpër tubimet parazgjedhore, por edhe përmes rrjeteve sociale, qytetarëve u është premtuar se të premten do të punojnë vetëm 4 orë. Madje, kjo ide figuron edhe në programin e integristëve për periudhën 2020-2024.  Më 9 korrik nga BDI kishin thënë për Alsat se përmes këtij propozimi dëshirojnë t’u mundësojnë qytetarëve të kenë më shumë kohë për familjen.

BDI/09.07.2020

“Vendosja e orarit fleksibël të punës gjatë javës dhe mundësia për të punuar me orar të përgjysmuar të premtes do të sigurojë më shumë kohë për familjen dhe shëndet më të mirë mendor, si dhe një produktivitet më të madh”

Që një premtim i tillë të zbatohet, fillimisht duhet që të bëhen ndryshime në Ligjin për Nëpunës Administrativ. Nga Ministria e Administratës thonë se ndryshimet në këtë ligj do të diskutohen gjatë javës së ardhshme. Në pyetjen nëse në kuadër të ndryshimeve do të jetë edhe propozimi që të premten orari i punës të përgjysmohet, nga dikasteri në fjalë u treguan të rezervuar duke thënë se kjo do të dihet pas të hënës. Megjithatë, ekspertët thonë se vendi nuk është ende gati për një ndryshim të tillë.

“Dita e premte si dita e fundit e javës të punohet me orar të shkurtuar të punës, mendoj që është çështje për të cilën ende nuk janë pjekur kushtet dhe nuk jemi gati për këtë ndryshim në rregullativën ligjore”, tha Zorica Siljanovska, profesoreshë universitare.

Qëndrimi i Organizatës së punëdhënësve rreth këtij premtimi ishte se orari i shkurtuar i punës është mirë për disa sektorë, por jo edhe për kompanitë ku prezenca fizike është e domosdoshme për shkak të vëllimit të produktivitetit. BDI para gjysmë viti edhe në Kuvend u përpoq të shtyjë zgjidhje ligjore për orar punë të përgjysmuar për ditën e premte, por propozimi nuk kaloi te deputetët. Reagimet e atëhershme në opinion ishin se orari i shkurtuar nuk do respektohet në sektorin privat dhe se nga kjo do përfitojnë vetëm të punësuarit nëpër kompanitë shtetërore.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button